Foto: Atdhe Mulla

Sejdiu: Për keqardhje përpjekja e Qeverisë për të kontrabanduar ekipin negociator

Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, pas shtyrjes së seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, ka thënë se është për keqardhje që Qeveria ka dy ditë që mundohet ta kontrabandojë një ekip negociator, i cili, sipas tij, nuk e ka as idenë e vetme për çka do të flasë.

Sejdiu ka potencuar që synimi i opozitës është që të sigurohen që dy pika të thjeshta e që janë edhe tekst në Kushtetutë të miratohen në Kuvend me një rezolutë të thjeshtë.

“Kjo si duket po i  pengon, pra ato dy fjali: një – që ky vend është një dhe i pandashëm dhe dy – se askush nuk ka të drejtë të bisedojë për ndarjen e vendit. Nëse këto dy  i pengojnë dikujt atëherë fatkeqësisht jemi në një situatë goxha brengosëse”, ka theksuar Sejdiu.

Ai e ka quajtur edhe më brengosës faktin që pushteti përkundër retorikës për një qasje të përbashkët e ka bërë të kundërtën duke thirrur një seancë një orë para nisjes së seancës së thirrur nga opozita.

“E ka thirrur seancën një orë më herët se opozita e cila ka qenë edhe proceduralisht edhe ligjërisht në rregull në mënyrë që të sabotojë dhe të krijojë një përshtypje e cila është fatkeqësisht e gabuar. Po e themi edhe një herë, dialogu duhet t’i kthehet Kuvendit”, ka përfunduar Sejdiu.

Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita është shtyrë për nesër në ora 10:00.