Rektorati i UP | Foto: KALLXO.com

UP me Rregullore të re Për Pagesat për Stafin Akademik

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka bërë të ditur se ka miratuar Rregulloren për të ardhurat personale të personelit akademik, shtesat për funksione, honorarët dhe komisionet e përhershme në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Me anë të kësaj rregulloreje janë bërë disa ndryshime thelbësore që përfshijnë reduktimin e temave të baçelorit dhe masterit që mund t’i mentorojë një mësimdhënës brenda një viti akademik; heqjen e pagesave për provime për mësimdhënës; uljen e pagesave për mentorë dhe anëtarë të komisioneve për mbrojtjen e temave në nivelin e studimeve të masterit dhe doktoratës; uljen e pagesave të komisioneve të përhershme të universitetit; uljen e pagesave për orë për bashkëpunëtorët e jashtëm për ligjërata dhe për ushtrime pa thirrje akademike në universitete publike;

Këshilli Drejtues i UP-së gjithashtu ka vendosur që personeli akademik i emëruar apo i zgjedhur në njërin prej posteve udhëheqëse (rektor, prorektorë, anëtarë i Këshillit Drejtues, dekanë dhe prodekanë), pagën bazë do ta marrë në përputhje me thirrjen akademike që bartë e jo siç ka qenë me rregulloren e deritanishme ku të gjithë janë paguar me pagën e profesorit të rregullt;

Në mbledhje është aprovuar edhe ngritja e fondit të orëve mbinormë prej 5 në 6 orë në javë për ligjërata dhe prej 8 në 10 orë në javë për ushtrime, normë që, sipas UP-së, e zvogëlon nevojën për angazhim të bashkëpunëtorëve të jashtëm si dhe është përcaktuar minimumi dhe maksimumi i grupeve të studentëve në nivelin e studimeve të baçelorit dhe masterit, për ligjërata, ushtrime, laboratore, punë klinike etj.

Këshilli ka miratuar edhe sanksionet të cilat kanë të bëjnë me mos-raportim të orëve të humbura (mosmbajtura) nga ana e profesorëve.

UP thotë se miratimi i kësaj rregulloreje ka ardhur si rrjedhojë e vullnetit të menaxhmentit të UP-së për të bërë ndryshime pozitive në universitet, në mënyrë që të gjithë të punësuarit në UP të vlerësohen dhe shpërblehen vetëm mbi kriterin e bazave meritore.

Rregullorja në fjalë, e cila është miratuar në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” të mbajtur më 8 shtator do të hyjë në fuqi nga 1 tetori, ndërsa me kursimet e pagesave që do të bëhen sipas kësaj rregulloreje, krijohen mundësi më të mëdha për punësime të reja të personelit të rregullt akademik, thuhet në komunikatën e UP-së.