Nga një seancë e gjykimit për tenderin e KEK-ut | Foto: KALLXO.com

Rasti Syla Anulon Seancën për Tenderin

Kryetari i trupit gjykues në rastin e gjykimit për tenderin 6 milionësh të sigurimit fizik të objekteve të KEK-ut është edhe anëtar i kolegjit në mundësinë e veçantë hetuese ndaj Azem Sylës dhe 51 personave tjerë.

Pasi sot nisi njëra nga këto seanca ndaj deputetit Syla, ky kryetar mori pjesë në të, duke mos qenë i pranishëm në gjykimin për tenderin e KEK-ut.

Për këtë arsye, seanca për tenderin u anulua.

KALLXO.com shkroi sot për seancën ndaj Sylës dhe të tjerëve, e cila u shty, ngase salla nuk mundi t’i zë 52 të dyshuarit, avokatët e tyre dhe gardianët që sollën të paraburgosurit.

http://kallxo.com/edhe-sot-e-mbyllur-seanca-e-azem-syles/

Në gjykimin për tenderin e KEK-ut janë të akuzuar shtatë persona, mes tyre drejtori ekzekutiv i KEK-ut Arben Gjukaj, kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku dhe ish-kreu i OShP-së Hysni Hoxha.

Në këtë rast gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish- drejtori i prokurimit, Driton Pruthi; drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj; ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.

Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.