Stema e LDK-së - Foto: Facebook

Ramush Haradinaj në Interpelancë për Rritjen e Pagave të Qeverisë

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kërkuar sot që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të paraqitet në interpelancë në një nga seancat e ardhshme të Kuvendit lidhur me vendimin për rritjen e pagave për kryeministrin dhe kabinetin qeveritar.

LDK tha se kërkesa për këtë interpelancë është dorëzuar sot në Kuvend.

Kjo parti thotë se, duke marrë parasysh gjendjen socio-ekonomike, papunësinë dhe nivelin e pagave në vend, e vlerëson të pa pranueshëm vendimin që kryeministri i Kosovës ta ketë pagën më të lartë krahasuar me homologët e tij në rajon.

“Vendimi i tillë është jashtëzakonisht i dëmshëm, i pa analizuar dhe krijon një diskrepancë të madhe në mes të të ardhurave të qytetarëve, të ardhurave të të punësuarve të tjerë në sektorin publik me pagat e zyrtarëve të kabinetit qeveritar. Me këtë vendim, diferenca në paga në mes të zyrtarëve të kabinetit qeveritar dhe një shërbyesi civil është rritur nga 1 me 4, në 1 me 8. Kjo diskrepancë është shumë më e madhe për ata që marrin pensione apo ndihma sociale, apo edhe me pagën mesatare në sektorin privat”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Sipas kësaj partie, vendimi për rritjen e pagave nga kryeministri Haradinaj i tejkalon kompetencat e përcaktuara me Rregulloren e Punës së Qeverisë, e cila “në asnjë dispozitë të saj nuk përcakton kompetencat dhe përgjegjësitë e Qeverisë për caktimin e pagave për Kryeministrin, ministrat dhe pjesën tjetër të kabinetit qeverisës”.

“Andaj nisur nga sa u tha më lartë deputetët e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në këtë interpelancë do të kërkojnë nga Kryeministri Haradinaj anulimin e menjëhershëm të vendimit të kundërligjshëm për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar si dhe sjelljen në Kuvend për aprovim,  në afat sa më të shkurtër të mundshëm, të Ligjit për Pagat e Sektorit Publik”, thuhet në komunikatë.