Ramush Haradinaj e Albin Kurti polemizojnë në Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kanë shkëmbyer polemika me njeri tjetrin në seancën për interpelancë në Kuvendin e Kosovës. Polemikat mes tyre nisën për dialogun, demarkacionin, ekonominë…

Kryeministri Haradinaj tha se kjo qeveri është duke punuar dhe ka marrë vendime të mëdha.

“Janë disa punë që i ka bërë qeveria e vendit që kallxon që kjo qeveri ekziston. Po ka edhe tjera që janë me pikëpyetje si rasti i demarkacionin.  Ajo që ka mbet pikëpyetje për ty Albin është  se ty nuk ta ka ndi për demarkacion e as kolegëve tu.  Ju kam hetu edhe ju kam gjetë, ku dikush e minimizonte, ju e shujshit”, tha Haradinaj.

E kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kritikoi Haradinajn se po merr vendime në favor të presidentit Thaçi vetëm për të mbajtur postin e kryeministrit.

“ Nuk kemi pasur nevojë ta ndërrojmë qeverinë për ma shumë asfalt e më shumë konsesione me Serbinë. Nga kjo pozitë kaq e dobët ky nuk mund të bëjë asgjë të madhe. Ky ka qenë i detyruar ta kalojë demarkacionin për të mbetur kryeministër, ky është i detyruar të hyjë në dialog me Serbinë e për të na propozuar këtu Thaçin si udhëheqës për të mbetur kryeministër. I gjithë synimi i tij ka qenë të bëhet kryeministër dhe jo ta bëjë kryeministrin”, tha Kurti.

Por i menjëhershëm ishte reagimi i kryeministri Haradinaj i cili ia përmendi kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Sikur të kish qenë Shpend Ahmeti, tash i partisë simotër kishe me thanë që e keni bërë një të mirë e keni kaluar Ligjin për Prishtinës. Po tash nuk e keni edhe nuk po ma llogarit këtë si punë. Nuk ka lidhje”, tha Haradinaj.

Për Kurtin, kjo gjë është ikje nga temat aktuale e kryeministrit Haradinaj.

“Unë po e përsëris edhe njëherë, Qeveri e pakicës, me 52 deputetë, ky kryeministri është veç ushtrues detyre sepse presidenti aktual e ka marrë përkohësisht me qira, derisa të ja kryen edhe Zajednicën qysh ka ja kryer edhe demarkacionin”, tha Kurti.

E kur filluan të folën për ekonominë e vendit, filloi të ndryshojë situata mes polemikave të Haradinaj dhe Kurtit.

“Nëse është socio-ekonomia veç me e sha Hashimin e kemi provuar edhe atë boll, ose me sha Kadrinë. I shajmë. Unë i kam bindjet e mia për tema, po punoj për to. Nëse e mbesim veç me të shamë, ju vazhdoni me sha, unë po vazhdoj me i krye do punë”, tha Haradinaj.

Në këtë çështje, Kurti kërkoi të dijë nga kryeministri se cilat janë metodat e socio ekonomisë.

“Unë nuk po ju shaj, nuk po e shaj askënd, veç po e përsërisë se qeveria me 52 deputetë, është sharje, ofendim dhe fyerje për Republikën Parlamentare. E për atë se ju jeni për socio ekonominë, ua tregoni deputetëve sa metoda janë për ta llogaritur bruto produktin vendor. Shumë e thjeshtë, një kryeministër duhet të di sa metoda janë në ekonomi për të llogaritur bruto produktin vendor”, tha Kurti duke ju drejtuar kryeministrit Haradinaj.

I pari i Qeverisë, këtë pyetje e ktheu në relaksim duke u përgjigjur: “Albin, më duket në të njëjtën klasë në ekonomi jemi unë e ti, jemi duke mësuar  në të njëjtën kohë shpenzimet, investimet kapitale, edhe çka po ndodh se qysh i matim ato. Mirë është”, tha Haradinaj.

I gjithë ky debat u përmbyll pasi që kryeministri Haradinaj kërkoi një largim të shkurtër nga Kuvendi për të marrë pjesë në një takim të tij.