Foto: ZKM

Kurti uron goranët: Kontributi juaj mbetet i rëndësishëm, i veçantë dhe i çmueshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar komunitetin goran në Kosovë me rastin e Ditës së Goranëve.

Më 06.05.2024, në shënimin e Ditës së Goranëve, Kurti ka thënë se Republika e Kosovës është e të gjitha komuniteteve.

“Kontributi i juaj në jetën shoqërore të vendit tonë, mbetet i rëndësishëm, i veçantë dhe i çmueshëm. Vitin e kaluar, kam patur mundësinë të takohem përsëri me përfaqësues tuaj, si në Prishtinë, por po ashtu dhe gjatë një vizite në Dragash”- ka thënë Kurti.

Sipas kryeministrit Kurti, nuk kanë munguar investimet e qeverisë si në përmirësimin e infrastrukturës, por edhe mbështetja ekonomike.

“Që nga fillimi i mandatit tonë, kemi dëshmuar se askush, nga asnjë komunitet, nuk do të lihet pas, por do të jetë pjesë e zhvillimit e progresit tonë, ku politikat progresiste të shtetit mbërrijnë tek të gjithë. Andaj dhe nuk kanë munguar investimet e qeverisë sonë si në përmirësimin e infrastrukturës, por edhe mbështetjes ekonomike, ndërtimit të shtëpive, përfitimit nga kuotat e punësimit apo dhe verifikimit të diplomave”- ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Ai tutje ka thënë se do të vijojnë punën në mbrojtjen, promovimin e mbështetjen e komunitetit goran.