Qeveria Mbledhje Tjetër për Mandatin e EULEX-it

Qeveria është duke pritur letrën e përfaqësueses Lartë të BE-së Federica Mogherini në mënyrë që në bazë të letërkëmbimit të saj me Presidentin Thaçi, projektligjin për vazhdimin e mandatit të EULEX-it t’ia dërgojë Kuvendit.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, në pikat e rendit të ditës, nuk ishte paraparë vazhdimi i mandatit të EULEX-it.

Në këtë mbledhje Kryeministri Isa Mustafa deklaroi se është arritur marrëveshja që Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit t’i vazhdohet mandati edhe për dy vjet.

“Kemi arritur marrëveshje lidhur me EULEX-in. Presim sot ta marrim këmbimin e letrës nga Mogherini, ne do ta mbajmë edhe një takim pasdite ku do të aprovojmë ligjin, ku nesër do t’ia dërgojmë Kuvendit në shqyrtim dhe aprovim,” tha Mustafa.

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi tha se projektligji për vazhdimin e mandatit të EULEX-it do të përmbajë letërkëmbimin e plotë të Presidentit Thaçi me Mogherinin, por atij do t’i ndryshohet njëra nga pikat.

Kuçi nuk tregoi se çfarë do të ndryshohet në këtë projektligj, por tha se projektligji me këtë ndryshim do t’i shkojë Kuvendit nesër në mbledhjen e rregullt.

KALLXO.com shkroi dje se Mogherini është duke përgatitur letrën për Presidentin Thaçi.

http://kallxo.com/ia-vazhdon-mandatin-eulex-mogherini-ia-pergatit-letren-thacit/

KALLXO.com po dje shkroi për paqartësinë në lidhje me orët e fundit të mandatit të EULEX-it, para vazhdimit të këtij mandati.

http://kallxo.com/te-paqarta-oret-e-fundit-te-mandatit-te-eulex/

Sot për shkak të mungesës së mandatit të EULEX-it u shty seanca e mundësisë së veçantë hetuese ndaj Azem Sylës dhe 51 të dyshuarve tjerë për tjetërsim pronash në Llapnasellë.

http://kallxo.com/eulex-mban-sot-seancen-e-azem-syles/

U shty gjithashtu edhe gjykimi i ish-eprorit policor Menderes Sinani.