Protesta e punëtorëve të Postës - Foto: KALLXO.com

Protestë Kundër Vendimit për Mbylljen e 43 Pikave Postare

“Ndalni vendimet e padrejta”, “Stop grupeve të interesit” dhe “Mos na lini pa bukë” ishin disa nga parullat e Shoqatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës dhe Shoqatës Sindikale “Postieri”, të cilët protestuan para Kuvendit të Kosovës kundër vendimit të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës (AKK) për mbylljen e 43 pikave postare.

Etrit Hoti, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, tha se protesta është organizuar kundër vendimit të padrejtë dhe të paligjshëm të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës të Kosovës.

“Këtu ndodhemi para Kuvendit të Republikës së Kosovës, para të përzgjedhurve tanë që e ka sjellë një komision dhe një kryetar shumë të papërgjegjshëm i cili me vendimin e tij e rrezikon Postën e Kosovës. Ju bëj me dije deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës se zyrat tona postare janë hapur në mënyrë ligjore, në konsultim me të gjithë zyrtarët ligjorë të Ministrisë, të Postës si dhe me interpretimin ligjor të KRPP-së”, tha Hoti.

Etrit Hoti tha se u po drejtohen deputetëve të Republikës së Kosovës me kërkesën e qartë që të shkarkojë komisionin e papërgjegjshëm i cili merr vendime të papërgjegjshme dhe në dëm të qytetarëve, në dëm të Postës së Kosovës dhe punëtorëve të saj.

“Ne kemi deponuar edhe padi kundër këtij vendimi për llogari të privatëve. Ne do të ndërprejmë edhe punën, do të përdorim edhe masa të tjera për të çuar drejtësinë në vend. Zyrat tona nuk mshelen, zyrat janë për me u shërby qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe andaj me asnjë çmim me vendime të padrejta dhe të paligjshme ne nuk i mbyllim zyrat postare”, potencoi Hoti.

Lamih Balaj, kryetar i Sindikalistëve të Pavarur të Postës dhe Telekomit të Kosovës tha se po protestojnë dhe po i alarmojnë institucionet kundër vendimit të padrejtë të AKK-së për heqjen e 43 pikave postare nga institucionet shtetërore.

“I bëjmë thirrje këtyre institucioneve, kryeministrit, ministrave dhe deputetëve që mos të na shkatërrojnë fillimisht Postën dhe Telekomin e Kosovës. Ligji i Prokurimit Publik është shumë i qartë dhe ai zotnia i cili e ka lëshu këtë vendim duket se nuk e ka lexu asnjëherë atë. Telekomit të Kosovës ju me vite nuk ia jepni të drejtën e shfrytëzimit siç e kanë operatorët privatë. Kërkojmë që ai vendim të shfuqizohet. Kryeministri mund ta bëjë këtë. Nuk do të lejojmë që ky institucion të shkatërrohet nga persona të papërgjegjshëm”, tha ai.

Naser Gashi nga Sindikata e Postës ka paralajmëruar se Qeveria duhet të reflektojë brenda një jave ose në të kundërtën protesta do të jetë më e madhe.

“Janë 25 zyra postare të Serbisë të cilat funksionojnë në Kosovë dhe zotëri Prestreshi nuk i sheh asnjë. Ju lutem na jepni punë, nuk duam asgjë tjetër, duam të punojmë me ndershmërinë tonë. Nëse Qeveria brenda një jave nuk reflekton ne do të jemi sërish këtu”, ka thënë Gashi.

Shaip Muja, deputeti i Kuvendit të Kosovës, tha se do të mundohen që sot jashtë pikave të rendit të ditës në seancën e Kuvendit të fusin edhe kërkesat e sindikalistëve të Postës.

“Çështjen e kësaj proteste do të mundohemi ta fusim në rend të ditës në seancës vazhduese të Kuvendit të Kosovës. Është e turpshme që të bëhet krahasim i Postës me institucionet financiare, do të kërkojnë edhe hetim për institucionet financiar”, ka shtuar Muja.

Pas protestës para Kuvendit të Kosovës punëtorët e Postës së Kosovës vazhduan protestën e tyre edhe para objektit të AKK-së.

“Do të shkojmë edhe te zyra e Prestreshit dhe atje do t’i adresojmë drejtpërdrejtë kërkesat tona për me mbrojtë Postën e Kosovës, për të kërkuar dorëheqjen e tij, dorëheqjen e anëtarëve të Komisionit”, nënvizoi Etrit Hoti.

Punëtorët e Postës së Kosovës ia kanë drejtuar peticionin e nënshkruar nga 1,000 punëtorë Parlamentit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e Perstreshit, shkarkimin e anëtarëve të tij.

Vendimi i nxjerrë nga AKK-ja në dhjetor të vitit 2016 në mbështetje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës konstaton se marrëveshjet e Postës së Kosovës me Ministrinë e Punëve të Brendshme, me Komunën e Gjilanit, Mitrovicës, Gjakovës, Ferizajt, Prishtinës bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka raportuar javën e kaluar për vendimin e AKK-së që tani për tani po zbatohet vetëm nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe jo nga disa komuna që kanë të nënshkruar marrëveshje të njëjtë bashkëpunimi me Postën e Kosovës.

Urdhri që Rrezikon Qëndrueshmërinë Financiare të Postës

Redaktoi: Naser Sertolli