Dhuna ndaj gruas - Foto: REL/Shutterstock

Prokuroria e Prizrenit: Rastet e dhunës në familje do të vazhdojmë t’i trajtojmë me prioritet

Institucionet e rendit dhe ligjit në Prizren janë zotuar se edhe në vitin e ardhshëm rastet e dhunës në familje do të trajtohen me prioritet.

Ky zotim është dhënë sot në një takim të fundvitit të organizuar nga prokurorja dhe koordinatorja për rastet e dhunës në familje, Mehreme Hoxha, e ku të pranishëm ishin kryeprokurori Admir Shala, përfaqësues nga Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit, përfaqësues nga Zyra për Ndihmë Juridike Falas si dhe zyrtarë nga Shërbimi Sprovues.

Sipas njoftimit të lëshuar nga zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti-Sejrani, të gjithë pjesëmarrësit në takim vlerësuan lartë bashkëpunimin që ekziston në mes institucioneve kompetente për trajtimin efikas dhe të shpejtë të këtyre rasteve.

Sidomos, u vlerësua trajtimi i dinjitetshëm i viktimave të dhunës në familje që bëhet nga ana e këtyre institucioneve.

Po ashtu, u theksua se të gjitha lëndët që kanë të bëjnë me dhunë në familje janë kryer me prioritet.

Në këtë takim u thekusa fakti se në Prokurorinë Themelore në Prizren vetëm gjatë këtij viti janë kryer gjithsej 177 lëndë të cilësuara si dhunë në familje, ndërsa aktualisht në punë janë 10 lëndë.

“Ndërsa mbetet shqetësuese fakti se edhe me tutje mbetet rritja e numrit të rasteve të dhunës në familje, e sidomos të rasteve recidiviste. Andaj, u kërkua që rastet e tilla të trajtohen me prioritet dhe me seriozitet të theksuar dhe të vlerësohet shkaku apo problem”, thuhet në komunikatë.

Koordinatorja për rastet e dhunës në familje nga Prokuroria Themelore në Prizren Mehreme Hoxha theksoi se nga data 1 janar 2019 do të hyjë në funksion “Databaza Nacionale e të Dhënave” për rastet e dhunës në familje, në të cilën në mënyrë të organizuar do të regjistrohen të dhënat për viktimat, kryerësit e veprave penale, veprat penale, mosha, gjinia etj.

Kjo databazë është aprovuar nga Ministria e Drejtësisë – Zyra e Koordinatorit Nacional kundër dhunës në familje.