Azem Syla te Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Prokurori Kërkon Riburgosjen e Azem Sylës

Sipas Tomë Gashit, prokurori Danilo Ceccareli është ankuar në Apel për heqjen e paraburgimit Azem Sylës.

Azem Syla, njëri nga 52 të hetuarit për tjetërsim të ish-pronave shoqërore në Çagllavicë e Llapnasellë u dërgua në gjykatë për caktim të masës së sigurisë gjashtë ditë më parë, pasi u arrestua nën dyshimet për tentim-ndikimi në dëshmitarë.

Por, një ditë më pas, më 17 shtator Sylës iu caktua masa e paraqitjes në stacion policor nga gjyqtarja e EULEX-it Jennifer Seal.

http://kallxo.com/azem-syles-masa-e-paraqitjes-ne-polici/

Tomë Gashi, avokati i Azem Sylës thotë për KALLXO.com se prokurori Ceccareli është ankuar në gjykatën e Apelit në lidhje me këtë vendim të gjykatës, duke kërkuar paraburgim për Sylën.

“Prokurori ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit duke kërkuar prapë kthimin dhe ndryshimin e vendimit qe sipas tij masë e vetme për Azem Sylën duhet të jetë masa e paraburgimit, mirëpo unë besoj që Gjykata e Apelit as që do ta marrë parasysh këtë ankesë, sepse nuk ka kurrfarë baze ligjore e as faktike,“ deklaroi avokati Tomë Gashi.

Ish- komandanti i UÇK-së dhe ish- deputeti i PDK-së Azem Syla qëndroi në paraburgim nga 29 prilli kur u vetëdorëzua në polici, e deri më 25 gusht kur gjyqtarja Jennifer Seal ia ndërpreu këtë masë.

http://kallxo.com/dorezohet-azem-syla/

http://kallxo.com/azem-syla-lirohet-nga-paraburgimi/

Por tri javë pasi iu hoq paraburgimi, Azem Syla më 16 shtator u arrestua përsëri u me arsyetim se “ka tentim të ndikimit në njërin prej dëshmitarëve të mbrojtur”.

Avokati Tomë Gashi thotë se arrestimi i Sylës me këtë arsyetim e dëmton Kosovën në kohën kur po bëhen hapa për funksionalizimin e Gjykatës Speciale.

“Mendoj që kjo që ka ndodhur është një skandal në vetvete dhe besoj që kjo të mos përsëritet ma, sepse dëmton vetë Kosovën si shtet-sinjalet janë dërguar deri ne Bruksel, kinse ju mirë e keni që e keni formuar Gjykatën Speciale e cila do te veprojë në Hagë dhe që po e shihni edhe vetë se si te rastet e profilit të lartë si të Azem Sylës nuk po mujnë me i mbrojtë dëshmitarët dhe kjo mendoj që ka qenë porosia,” tha avokati Gashi.

Ditën kur u kërkua në shtëpi Syla, u arrestuan edhe Nuhi Uka, i cili ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë dhe Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla e Lubisha Vujoviq.