Prokurorët e EULEX-it 'Do Ta Monitorojnë' Rastin e Akuzave ndaj Lumezit

Misioni i Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, konfirmoi sot se i është kërkuar ta marrë përsipër hetimin e dyshimeve për falsifikim të dosjes së provimit të jurisprudencës të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Një zëdhënëse e EULEX-it konfirmoi për KALLXO.com se Misioni “do ta monitorojë” këtë rast.

Tash e dy javë, Lumezi është nën presion të opinionit për të dhënë sqarime rreth dyshimeve që janë ngritur për provimin e tij të jurisprudencës, të vitit 1991.

Kjo çështje është trajtuar sot edhe në takimin e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri me shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.

“Është e rëndësishme që supozimet t’i  lënë hapësirë fakteve konkrete dhe që ky proces verifikimi të përfundoj sa më parë në mënyrë që të zbardhet e vërteta dhe të ruhet kredibiliteti i institucioneve tona”, thuhet në postimin e Tahirit në Facebook pas këtij takimi.

Por zëdhënësja e EULEX-it, Dragana Solomon, tha se EULEX do ta monitorojë këtë rast.

“Në linjë me mandatin aktual, prokurorët e EULEX-it nuk marrin raste të reja përderisa nuk përmbushen rrethanat e jashtëzakonshme. Akuzat do të merren përsipër nga autoritetet kompetente të prokurorisë së Kosovës. Prokurorët e EULEX-it kanë pranuar dhe shqyrtuar kërkesën e z. Lumezi. Misioni do ta monitorojë rastin. Shefja e Misionit të EULEX-it e ka thënë këtë qëndrim në takimin e rregullt që ka pasur me Ministrin e Drejtësisë të Kosovës, Abelard Tahiri”.

Disa ditë më parë, ishte Enver Hasani, ai që deklaroi se Aleksandër Lumezi ka falsifikuar provimin e jurisprudencës, para se kjo çështje të marrë jehonë në media.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi ende nuk është deklaruar saktësisht në lidhje me këto akuza ndërsa ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj Enver Hasanit.

Shënim: Artikulli është plotësuar për ta pasqyruar më detajisht qëndrimin e EULEX-it rreth këtij rasti.