Policia në Mitrovicë me plan operativ për sigurinë në shkolla

Policia në rajonin e Mitrovicës ka filluar implementimin e planit operativ “Siguria në shkolla”.

Sipas njoftimit, ky plan operativ ka për qëllim ofrimin e sigurisë për nxënësit e të gjitha niveleve, si në hapësirat shkollore ashtu edhe në trafikun rrugor.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillim të implementimit të këtij plani operativ. Njësitë policore të trafikut rrugor në zonat afër shkollave do të shtojnë masat e sigurisë, ku në fokus do të kenë intervalet kohore të ardhje – vajtjes së nxënësve të klasave të para, ku pjesëmarrja e tyre në rrugët e trafikut rrugor është për herë të parë”, thuhet në njoftim.

Tutje policia ka bërë të ditur se bashkë me njësitë e trafikut rrugor brenda planit operativ, për angazhime operative policore janë përgatitur edhe stacionet policore, ku sipas planit që nga sot nëpër shkolla fillore dhe të mesme angazhohen zyrtarë policorë, përfshirë edhe zyrtarë policorë në rroba civile.

“Gjithë qasja policore për ofrim të sigurisë në objektet edukativo-arsimore do të vazhdojë në bashkërendim me autoritete edukativo-arsimore, si në nivel të drejtorive komunale të arsimit, të drejtorive të shkollave”, njofton policia, duke kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë pjesëmarrësve në trafik, duke respektuar rregullat e trafikut rrugor.