Siguria në shkollat e Ferizajt, premtohet shtimi i numrit të policëve civilë

Policia e Kosovës në Ferizaj ka paralajmëruar se do të angazhojë pjesëtarë të policisë edhe me rroba civile në parandalim të dukurive negative rreth dhe nëpër shkolla.

Kështu deklaroi drejtori Rajonal i Policisë në Ferizaj, Basri Shabani në një takim që Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit të Komunës, ka mbajtur me të gjithë drejtorët e shkollave të mesme të larta dhe të ulta të Ferizajt.

Takimi u mbajt sot në sallën e Kuvendit të Komunës së Ferizajt.

Nënkoloneli Shabani thuhet se i siguroi të pranishmit, se Policia do të vazhdojë me ligjërata në shkolla dhe do të shtojë aktivitetet e policisë, veç policëve me uniformë do të angazhojë edhe pjesëtarë të policisë me rroba civile në parandalim të dukurive negative rreth dhe nëpër shkolla.

Ai prezantoi një raport të ligjëratave të mbajtura në të gjitha shkollat e komunës së Ferizajt, me tema të ndryshme në vetëdijesimin e nxënësve në parandalim të dukurive negative, si dhe shpalosi edhe trendin e rasteve kriminale që nga viti 2017 deri në vitin 2021 dhe aksionet e policisë nëpër shkolla.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe përfaqësues të Prokurorisë Themelore dhe Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Policia Rajonale e Ferizajt ka ftuar qytetarët për bashkëpunim, nëse kanë informacione rreth dukurive negative nëpër shkolla të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ’’ dhe në numrat kujdestarë: 192 , 0290/326-250 & 0290/322-406.

“Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë dhe policia do të reagon menjëherë!”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Foto: Policia e Kosovës