Ilustrim

Këshilli i Prindërve të Komunës së Prishtinës kërkon rritje të aktivitetit të Policisë afër shkollave

Këshilli i Prindërve të Komunës së Prishtinës përmes një komunikate për media kanë kërkuar rritje të aktivitetit të Policisë në afërsi të shkollave.

Ky reagim i tyre erdhi pas arrestimit të një personi nga policia afër një shkolle në Prishtinë, tek i cili u gjetën armë dhe substanca narkotike.

Sipas Këshillit të Prindërve, ky rast konfirmon shqetësimin e tyre se ka prezencë të individëve me profil kriminal afër institucioneve shkollore.

Këshilli po ashtu kanë kërkuar zbatim sa më të shpejt të projektit për vendosje të kamerave në afërsi të shkollave.

Tutje, në komunikatën e Këshillit kërkohet rishikim i masave ligjore që dënimet për aktivitete kriminale dhe shkelje të ligjeve afër shkollave, të jenë më të ashpra.

 

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë të Këshillit të Prindërve të Prishtinës:

“Sot ishte raportimi i radhës në media i arrestimit nga Policia e Kosovës edhe të një personi afër një shkolle fillore në Prishtinë. Policia e konfirmoi edhe me foto se të njëjtit i janë gjetur një numër armësh, mjete të rrezikshme dhe drogë (e llojit marihuanë). Duam me këtë rast të përgëzojmë angazhimin e Policisë së Kosovës, dhe të gjitha organeve të sigurisë, që e kanë shtuar prezencën dhe aktivitetin afër shkollave në Kryeqytet.

Por ky rast në Prishtinë, sikurse edhe plot të tjerë, edhe në qytete të tjera të Kosovës, e konfirmojnë shqetësimin tonë të vazhdueshëm se kemi prezencë të individëve me profil kriminal në afërsi të institucioneve edukativo-arsimore të të gjitha niveleve në Prishtinë. Kjo përbën rrezik të shumanshëm e kurrsesi nuk duhet toleruar. Ne lusim Policinë e Kosovës dhe gjitha strukturat e rendit që të rrisin edhe më shumë aktivitetin dhe prezencën përreth shkollave, dhe të jenë plotësisht të pakompromis ndaj individëve të tillë. Po ashtu kërkojmë sa më shpejt të zbatohet projekti i vendosjes së kamerave në afërsi të shkollave.

Gjithashtu i lusim të gjithë prindërit që të jenë më vigjilentë, të komunikojnë vazhdimisht me fëmijët dhe të bashkëpunojnë e raportojnë të gjitha rastet e dyshimta në Policinë e Kosovës. Pa bashkëpunimin e të gjithëve luftimi i këtyre rasteve bëhet më i vështirë.

Po këtu, duam t’i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të sigurisë në vend që ta marrin me seriozitetin më të madh ruajtjen e sigurisë së fëmijëve në shkolla dhe pranë tyre, duke përdorur çdo mjet të mundshëm ligjor. Gjithashtu, kërkojmë rishikimin e masave ligjore që dënimet për aktivitetet kriminale dhe shkeljes së ligjeve afër shkollave, sipas një perimetri të nevojshëm të sigurisë, të jenë edhe më të rrepta e më të ashpra sesa janë tani. Nuk duhet të lejohet assesi që prindërit të kenë frikë t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, apo që fëmijët të ekspozohen çfarëdo rreziku nga individë kriminelë apo të papërgjegjshëm”.