Ilustrim

Vendosi drita rrotative në veturën e tij pa autorizim, gjobitet me 500 euro nga Policia

Policia e Kosovës gjatë kontrollit të trafikut rrugor në rrugën “Sami Gashi” në Mitrovicë kanë identifikuar një veturë me targa vendore, e cila ishte e pajisur me dritën rrotative të automjeteve me përparësi kalimi, pa poseduar autorizim përkatës.

Sipas Policisë së Kosovës, ndaj drejtuesit të automjetit është shqiptuar gjoba prej 500 euro.

“Ndaj drejtuesit të automjetit është shqiptuar gjoba prej 500 euro për vendosjen e dritave të tilla, kundërvajtje kjo e cila parashihet me dispozitat e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor” – është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia ka potencuar se do të vazhdojë me marrjen e masave ligjore ndaj të gjithë kundërvajtësve, të cilët bien ndesh me rregullat e trafikut, me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor”.