Perparim Rama

‘Përparimi’ i qeverisjes në sigurinë publike të Prishtinës

Përparim Rama, kur po garonte për herë të parë për kryetar të Komunës së Prishtinës në planprogramin e tij i kishte dedikuar dy faqe çështjes së sigurisë publike të kryeqytetit.

Mungesa e kamerave, ndriçimit, trajtimi i qenve endacakë, reagim më i shpejtë i zjarrfikësve, fuqizimi i forumeve të sigurisë në bashkësi dhe forcimi i partnertiteti midis Policisë dhe Komunës – janë disa prej çështjeve që kryetari Përparim Rama kishte premtuar t’i jepte vëmendje dhe zgjidhje. 

“Njëra ndër prioritet e qeverisjes sime dhe të LDK për Komunën e Prishtinës në mandatin vijues, do të jetë çështja e sigurisë, një fushë e lënë thuaja se krejtësisht pas dore, në mandatin vijues në veçanti në periudhën e dy mandateve të fundit qeverisës, e që paraqet shqetësim në rritje për secilin kryetar” – kishte thënë Përparim Rama asokohe.

Kur flasim për sigurinë e Prishtinës, rrjedhimisht qentë endacak përbëjnë rrezik për qytetarët.

“Do të ndërtojmë parkun e qenëve, shumë ngjashëm me Parkun e Arinjëve, që gjendet sot në Prishtinë, në të cilin do të strehohen qentë endacakë, ku familjet do të kenë mundësi të dorëzojnë qentë e tyre, apo të adoptojnë nëse kanë dëshirë” – ka thënë kryetari Rama. 

Më tej, te siguria ishte përmendur edhe mbulueshmëria me kamera.  

“Do të sigurojmë mbulueshmëri sa më të madhe me kamerat CCT. Ne do të realizojmë këtë projekt në bashkëfinancim, pra, nga mjetet e buxhetit komunal e qendror, donacionet ndërkombëtare, bizneset dhe institucionet vendore” – ka thënë Rama. 

Pas një viti, KALLXO.com ka kërkuar raportin e punës së kryetarit Përparim Rama për sigurinë publike. 

Këshilltari i Përparim Ramës për Çështje të Sigurisë. Bajram Gecaj ka treguar se të trajtimi i qenve endacak kanë hartuar strategjinë kornizë 10-pikëshe për trajtimin e qenve endacakë.

Gecaj thotë se është nënshkruar në fillim te vitit marrëveshja me operatorë të jashtëm ekonomikë për trajtimin e 700 qenve endacakë, e cila tanimë ka përfunduar.

Sipas tij, janë në përfundim të punimeve për ndërtimin e qendrës për trajtimin e qenve endacakë dhe se shpresojnë se punimet të përfundojnë në fund të këtij viti.

Më datën 29 dhjetor 2022, kryetari Përparim Rama ka publikuar fotografi nga kjo qendër për të cilën tha se “gati u përfundua”.

Më tutje, Gecaj ka treguar për KALLXO.com se kanë huazuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterarisë, 2000 mikrocipat për t’u vendosur të gjithë qenve endacakë, për të cilët thotë se trajtohen nga tani e tutje dhe se janë në fazën përfundimtare të procesit të sigurimit të mikrocipave tonë.

KALLXO.com ka raportuar 13 shtator 2022, se Komuna e Prishtinës ka hapur tender për t’u furnizuar me mikroçipa për qentë endacakë.

Vlera e tenderit është 35 mijë euro. “Çipi” vendoset nën lëkurën e kafshës dhe në të gjendet një numër unik identifikimi, pra një numër i caktuar i përket një kafshe të caktuar.

Në muajin korrik, KALLXO.com, raportoi se Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka njoftuar se kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës lidhur me çështjen menaxhimit të popullsisë së qenve endacakë në kryeqytet.

Gjithashtu, këshilltari i Përparim Ramës, Bajram Gecaj ka treguar se janë në proces të përzgjedhjes së një strehimoreje (testuese) e cila do të mbante brenda një numër të qenve endacakë më qëllim adoptimi;

“Kuvendi Komunal tanimë ka aprovuar fillimin e procedurave për një qendër tjetër gjithëpërfshirëse rajonale dhe të përhershme për trajtimin e qenve, si atyre endacakë, ashtu edhe atyre me pronarë – Strehimorja e Kafshëve. Kryeqyteti deri më tani ka shpenzuar dhjetëfish më shumë buxhet për qentë endacak se vitin e kaluar” – ka thënë Gecaj.

“Kemi nënshkruar kontratat e 4 lloteve dhe ri-tenderuar edhe 2 llote tjera (rreth 350 mije euro në total) për trajtimin e qenve endacakë. Pra, tani e tutje nuk do të ketë kufizime si më parë, por do të trajtohen të gjithë qentë endacakë”- thotë ai. 

Në buxhetin e vitit 2023, për qentë endacakë janë planfikuar 200 mijë euro.

Në anën tjetër, Bajram Gecaj ka treguar për KALLXO.com se tek çështja e kamerave të sigurisë në vitin 2022 kanë investuar me 300 mijë euro, kurse në vitin 2023 do të jetë 350 mijë. 

Sipas tij, ka filluar edhe vendosja e kamerave të sigurisë në shkolla.

“Këtë vit kemi nënshkruar një MoU me policinë për kamerat e sigurisë. Këtyre ditëve, nëpër shkollat e Prishtinës ka filluar vendosja e kamerave të sigurisë” – tha ai. 

Lidhur me vendosjen e kamerave të sigurisë nëpër shkolla, ka njoftuar edhe drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati. 

“Pas disa vitesh filluam të vendosim kamerat e sigurisë nëpër shkolla të Prishtinës. Rastet e dhunës në shkolla duhet të minimizohen dhe po bëjmë hapa konkretë që rrisin sigurinë” – ka shkruar Musmurati në rrjetin social “Facebook” më 19 dhjetor 2022.

Më 7 dhjetor 2022, Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratën për “vendosjen dhe furnizimin me kamera të sigurisë dhe pjesë të tjera përcjellse për insitucionet edukativo”.

Për vitin 2023, Bajram Gecaj thotë se planfikojnë t’i shpenzojnë 1.2 milion euro për ndriçim publik.

Aktualisht, Komuna e Prishtinës ka bërë vendosje të kamerave të sigurisë vetëm në sheshet në qendër si pjesë më e frekuentuar e qytetit dhe në disa nënkalime.

Komuna, së bashku më policinë ka në plan të vendosin kamera edhe nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit.

Sipas të dhënave në e-prokurim, Komuna e Prishtinës ka shpallë tender në vlerë 1 milion e 800 mijë për “Zgjerimi dhe modernizimi i rrjetit për ndriçimin publik”.

Për reagimin më të shpejtë të zjarrfikësve që e kishte përmend kryetari Përparim Rama në kohë fushate, këshilltari Bajram Gecaj thotë në çështjen e zjarrfikësve duhet të ketë bashkëpunim qendër-kryeqytet, pasi që ligji i japë nivelit qendror kompetencat kryesore për zjarrfikësit, të cilat nuk ushtrohen si e sa duhet në mënyrë efikase.

Ndërsa, në lidhje me Policinë e Prishtinës, thonë se Kryeqyteti është i gatshëm tërësisht të formojë Policinë e Kryeqytetit, sapo niveli qendrorë ta tregoi gatishmërinë e njëjtë. 

LIGJI Nr. 06/L-012 PËR KRYEQYTETIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PRISHTINËN, neni 7.1.1, parasheh themelimin e Drejtorisë (së posaçme) të Policisë për Kryeqytetin. Megjithatë, për shkak se ishte aprovuar në nguti nga Qeveria Haradinaj në vitin 2018, kjo pjesë e ligjit nuk mund të zbatohet, pasi që bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin mbi Policinë.

Lidhur me këtë, Gecaj thotë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ecë para me amandamentimin e ligjit, në mënyrë që të mund të tejkalojmë këtë problem ligjorë. 

Ligji për Prishtinën thotë se Drejtoria e Policisë për Kryeqytetin do të ketë kompetencë vetëm në territorin e Kryeqytetit dhe se kryetari i kryeqytetit pas aprovimit nga Kuvendi i Kryeqytetit i propozon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, minimumin dy kandidatë për Drejtorë të Drejtorisë së Policisë për Kryeqytetin.

Ndërkaq Policia e Kosovës, në një përgjigje për KALLXO.com në muajin shtator për këtë temë kishte thënë se në Prishtinë ka tri stacione policore të rendit publik që mbulojnë territorin e kryeqytetit, po ashtu është e themeluar një njësi e veçantë që merret me trafikun në kryeqytet.