Policia në Mitrovicë konfiskon dy armë

Policia në rajonin e Mitrovicës ka njoftuar se ka konfiskuar dy armë në dy lokacione të ndryshme.

Sipas policisë një armë është konfiskuar dje rreth orës 20:00 në Vushtrri.

“Pas marrjes së informatës policia ka kontaktuar personin F.S., 50 vjeçar, i cili e ka dorëzuar një revole të prodhimit çekosllovak, me një karikator dhe tetë fishek”, njofton policia.

Një armë tjetër sipas policisë është konfiskuar mbrëmë në mesnatë, ku gjatë një pike kontrolli nga policia është ndaluar një automjet dhe gjatë kontrollit nga ana e policisë, të dyshuarit D.F., 28 vjeçar i është gjetur një pistoletë.

Policia ka njoftuar se si dëshmi materiale ka konfiskuar pistoletën me pesë fishekë dhe një karikator, të cilën i dyshuari e posedonte pa leje.

“Në të dy rastet, pas procedurave intervistuese të  dyshuarit janë liruar për procedurë të rregullt. Ndaj tyre janë  iniciuar raste  për veprat penale ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, njofton policia.