Policia flet për protestën e aktivistëve të VV-së

Policia e Kosovës tha se “dhjetëra policë” janë lënduar gjatë protestës së sotme të aktivistëve të Vetëvendosjes para stacionit kryesor në Prishtinë.

Shkelzen Xhafa, komandant i Stacionit kryesor të Policisë në Prishtinë, tha për KALLXO.com se zyrtarët policorë që kanë qenë duke u kujdesur për rendin gjatë protestës, kanë marrë lëndime të ndrshme.

“Mund të konfirmoj se dhjetëra policë janë lënduar nga boja e cila është hedhur nga ana e disa qytetarëve të Republikës së Kosovës në drejtim të tyre. Lëndimet e policëve kanë qenë të ndryshme, disa janë trajtuar, ndërsa qytetarët që kanë hedhur bojën në drejtim të policëve dhe stacionit policor janë arrestuar”, tha për KALLXO.com, Komandanti Shkelzen Xhafa.

Në këtë protestë, Lëvizja Vetëvendosje tha se i janë arrestuar dhjetë aktivistë.

Në mesin e atë arrestuarve është edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci.

Ajo është ndaluar nga policia menjëherë pasi ka përfunduar një prononcim për media pas protestës së aktivistëve të kësaj partie kundër dhunës në familje para stacionit kryesor të Policisë në Prishtinë.

Gjatë protestës, disa aktivistë të VV-së janë arrestuar pasi kanë hedhur ngjyrë të kuqe para stacionit policor.