Policia e Kosovës sqaron arsyet e arrestimit të zyrtarit rus të UNMIK-ut

Policia e Kosovës ka dhënë informacione shtesë lidhur me operacionin policor i cili u realizua me 28 maj të këtij viti.

Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, si dhe të udhëhequr nga Prokuroria Speciale, kanë zbatuar urdhër kontrollin, në disa lokacione të ndara në tërë territorin e Kosovës.

“Ky operacion policor ka pasur për qëllim luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, bastisjen dhe arrestimin disa zyrtarëve policor, ku ditën e realizimit të operacionit janë arrestuar (19) pjesëtarë të policisë, të cilët kanë qenë të dyshimtë, (10) qytetarë që kanë qenë të dyshuar, (9) qytetare të tjerë të cilët kanë penguar zyrtaret policor ne kryerje te detyrës si dhe (1) zyrtar të UNMIK-ut.”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se si vazhdimësi e hetimeve lidhur me këtë rast, deri tani janë arrestuar edhe tre zyrtar policor, të cilët kanë qenë të përfshirë në urdhër arrest dhe se të gjithë personat e arrestuar, janë trajtuar sipas procedurave ligjore, duke respektuar në plotësi të drejtat dhe liritë e tyre.

Ky operacion policor, sipas Policisë, i ka paraprirë një hetimi disa mujor nga IPK dhe PK , me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policor dhe të qytetarëve në veprat; “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar”, e të tjera.

“Plani policor ka filluar se zbatuari ashtu siç ishte planifikuar në të gjitha rajonet ,në të cilat kryesisht kanë kaluar pa incidente, përjashtuar rajonin e Zubin Potokut, ku tek vendi i quajtur “Klisurë”, persona të panjohur kanë vendosur pengesa në rrugë si drunjë, ndezje të zjarrit dhe automjete të rënda, kamionë me pasha të rënda e të tjera.”, është sqaruar.

 

Në këtë zonë, Policia kishte hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshimtë, ku si pasojë e të shtënave, janë plagosur dy zyrtarë policor, ku njëri prej tyre me lëndime të rënda ndërsa tjetri më të lehta, përfshirë edhe disa zyrtarë të lënduar, gjatë veprimeve për të hapur barrikadat e vendosura nga qytetaret.

Foto: Kallxo.com

Policia ka njoftuar se shumica e të dyshuarve kanë qenë të dhunshëm gjatë arrestimit, dhe si pasojë e kësaj është dashur që të përdorin forcën e domosdoshme, me qëllim që të dyshuarit t’i vëjnë nën kontroll.

“Vlen të theksohet se gjatë largimit të barrikadave dhe disa personave që kishin dalë në rrugë me qëllim të pengimit të policisë, disa herë është vërejtur një automjet Toyota ngjyrë e bardhë me targa dhe shenja të UN-it , e cila lëvizte bashkë me të dyshuarit në disa lokacione. Drejtuesi i veturës ka ndihmuar protestuesit e dhunshëm duke e vendosur veturën e tij zyrtare në mes të rrugës, para personave të dyshuar dhe barrikadës së vendosur, ku në pjesën e pasagjerit është vërejtur se është nxjerr një Motosharrë, e cila nga personat e dyshuar është përdorur për prerjen e druve dhe vendosjen e tyre në barrikadë.”, thuhet më tej në njoftim.

Zyrtarit të UNMIK-ut, i është kërkuar disa herë në gjuhën angleze nga zyrtarët policor, që ta lirojë rrugën, por sipas policisë, i njëjti ka refuzuar urdhrat policor duke mos pranuar të komunikojë, të identifikohet, si dhe ta lirojë rrugën.

Foto: Kallxo.com

Më tej është bërë e ditur se zyrtarët policor, janë detyruar ta nxjerrin nga makina me forcë dhe ta arrestojnë atë, për ta shoqëruar në polici, mirëpo sipas tyre, personit në fjalë fillimisht i është ofruar ndihma mjekësore në spitalin e Mitrovicës.

“Me urdhër të Kryeprokurorit kompetent të Mitrovicës, personi i UN-it edhe pse i dyshuar për veprimet e tij të kundërligjshme, duke ja respektuar imunitetin personit në fjalë, nuk i është shqiptuar ndonjë masë e as ndalesë dhe i njëjti është liruar së bashku me veturën e tij dhe ju është dorëzuar stafit të UN-it në Mitrovicë, mirëpo ndaj të njëjtit është proceduar rasti për pengim të zyrtareve policor në kryerje të detyrës dhe pjesëmarrjes në turmë.”, është thënë tutje në këtë komunikatë.

Policia e Kosovës thotë se këto sqarime po i bëjnë sipas detyrave dhe procedurave policore, sepse pas çdo veprimi operacional bëhen vlerësimet pasoperacionale, lidhur me zhvillimin e operacionit ne përgjithësi.