Armët e Vjedhura në Poligonin për Gjuajtje me Armë- Foto: Policia e Kosoves

Policia Arreston në Flagrancë Hajnat e 16 Pistoletave

25 vjeçari me inicialet A. B dhe 18 vjeçari me inicialet S. A., të dy shtetas maqedonas, janë arrestuar pasi dyshohen se kishin hyrë me forcë në një poligon për gjuajtje me armë ku kanë vjedhur 16 pistoleta.

Sipas njoftimit të policisë së rajonit të Ferizajt, në bashkëpunim me qytetarët njësitet policore në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë arritur që të arrestojnë në flagrancë dy të dyshuarit të cilët vodhën 16 pistoleta nga një poligon për gjuajtje me armë.

25 vjeçari me inicialet A. B dhe 18 vjeçari me inicialet S. A në mënyrë të maskuar dhe duke përdorur mjete të forta kanë arritur që të hyjnë në poligonin për gjuajte me armë që gjendet në Rrugën  “Emin Duraku” në Ferizaj.

Pasi kanë kryer vjedhjen, dy të dyshuarit janë arrestuar në flagrancë nga ana e policisë, kur po tentonin të dilnin nga objekti.

16 pistoletat e kalibrave të ndryshëm dhe automjeti i të dyshuarve janë konfiskuar.

Pas intervistimit në prezencë të avokatit, me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj dy të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Me rastin janë duke u marrë hetuesit e sektorit rajonal të hetimeve.