Pllakat e Pacientëve të Huaj u Vendosen Pacientëve Kosovarë

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com se ka dy vjet që ka bërë një termin për operim ortognatik në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale në QKUK. Por, operacioni të cilit duhet t’i nënshtrohet duket se nuk do të ndodhë edhe një kohë të gjatë. Kjo për shkak të mungesës së pllakave që nevojiten për ndërhyrje të tilla.

Në Klinikën e Kirurgjisë Maksillofaciale thonë se ankesa e pacientit është reale dhe e pranojnë se problemi me mungesë të pllakave është i kamotshëm.

“Vetëm sa për ilustrim, pas luftës janë blerë vetëm një herë pllaka dhe vida për operime ortognatike. Për 16-17 vite ne kemi funksionuar me pllaka dhe vida që i kanë pru kolegët tonë gjermanë apo kanë pru disa pjesë të tjera amerikanët, italianët apo prej Zagrebit”, thotë për KALLXO.com drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Maksillofaciale, Sami Salihu.

Teksa thekson se QKUK nuk është interesuar të blejë pllaka e vida, drejtori tregon se kanë pasur një marrëveshje përmes të cilës kanë ardhur profesorë nga jashtë dhe i kanë operuar disa raste të rënda, pa pagesë, e madje ata i kanë sjellë materialet dhe i kanë lënë në Klinikë.

Këto materiale doktor Salihu thotë se i kanë ruajtur për raste traumatike, të ndonjë aksidenti, rrahjeve, aksidenteve në sport e të tilla. “Ndërsa rastet estetike është dashur t’i vendosim në plan të dytë, për çka ka pasur shumë ankesa nga pacientët”, tregon ai.

Sipas tij, pllakat për operime ortognatike kushtojnë shtrenjtë, por janë të domosdoshme.

Më tej, Sami Salihu shpjegon se pllakat dhe vidat për këto operacione përdoren vetëm një herë. “Për fat të keq, ne pllakat dhe vidat që janë larguar nga pacientët gjermanë, amerikanë, ne i kemi marrë, i kemi sterilizu dhe i kemi vendosur te pacientët tanë”, tregon ai për KALLXO.com.

Doktor Salihu thotë se pacientët nuk pësojnë në këto raste por puna është shumë herë më e vështirë për mjekët.

“Nuk ka asnjë ndikim negativ te pacienti. Pllakat dhe vidat sterilizohen. Pacienti nuk pëson prej tyre por pësojmë ne për arsye se ka një problem nëse ne e kapim vidën me kaçavidë dhe e vendosim në një regjion shumë të thellë ku duhet ta vendosim, kaçavida e mban vidën një herë, dy, tri, por nuk e mban dhjetë herë, dhe gjatë operacionit duke u mundu me vendos vidën ku duhet neve na ndodhë e lëshon kaçavida sepse është dëmtu koka e vidës dhe na bjen në plagë operative dhe ne pastaj i humbim një orë me e gjetë vidën. Ma shumë na humbë ajo kohë se vetë operacioni”, thekson doktori.

Në mungesë të pllakave, mjekët e Kirurgjisë Maksillofaciale përdorin mënyra konservative të trajtimit të pacientëve.

“Paramendoni një pacient që e ka thyer nofullën dhe duhet ta mbajë gojën mbyllë me tel tri deri në gjashtë javë. Po të kishte pllaka dhe vida, ai pacient do të mund të shkonte në punë dhe me hangër normalisht pas dy ditësh”, thekson doktor Salihu.

Sami Salihu tregon pse nuk i lejon pacientët e Klinikës të cilën e drejton që t’i blejnë pllakat dhe vidat në mënyrë private.

“Instrumentariumi bazë që ne e kemi lejon me punu me një lloj apo dy lloj të vidave për shkak të kaçavidës që është specifike për secilën vidë. Dhe në atë moment që pacienti kërkon me i ble privatisht pllakat dhe vidat ne duhet t’i orientojmë te një shitës i caktuar. Nëse i them ashtu, pacienti automatikisht ka me mendu që unë marr një provizion prej atij pasi që e çoj aty. Për këtë arsye unë nuk kam leju me e bë atë për arsye se mund të fshihet ndonjë lloj i korrupsionit”, thotë drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Maksillofaciale.

Kështu thotë se ka vepruar për të mos me i hapur rrugë keqpërdorimeve e thashethemeve për korrupsion me çka, sipas tij, “është mbushë QKUK-ja”.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Zyrës për Komunikim të QKUK-së në lidhje me problemin në fjalë.

“Menaxhmenti i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës është në dijeni që ka mungesë të pllakave dhe vidave që nevojiten për Klinikën Maksillofaciale mirëpo problemi qëndron se ato nuk janë në listën esenciale të barnave për t’u furnizuar nga Barnatorja Qendrore, ndërkohë që e njëjta porosi është bërë te shërbimi i pajisjeve biomjekësore”, thuhet në përgjigjen e Zyrës.

Sipas Zyrës për Komunikim gjatë shqyrtimit të listës esenciale do të shikohet mundësia që ato pllaka dhe vida të futen në listë në mënyrë që ato të sigurohen më lehtë.

Sipas Sami Salihut, rastet ortognatike mund të jenë të lindura apo të fituara dhe janë probleme të nofullave, do të thotë këta pacientë kanë pengesa funksionale në përtypje e të folur dhe estetike, prandaj operimi është i domosdoshëm.