Gjykimi për grabitje në "Jumbo" - Foto: KALLXO.com

Përplasje verbale mes gjykatësit dhe avokatit në gjykimin për grabitjen në ‘Jumbo’

Në gjykimin për grabitje në oborrin e qendrës tregtare “Jumbo” në Fushë-Kosovë, në cilësi të dëshmitareve u dëgjuan policët të cilët sipas aktakuzës njëherësh janë edhe të dëmtuar.

Hetuesit policorë Gazmend Pantina e Fitim Bellaqi gjatë dëshmisë së tyre në cilësi të dëshmitarëve treguan e si kishte ndodhur rasti.

Dëshmitari Gazmend Pantina tha se në ditën kur kishte ndodhur ngjarja ai kishte qenë në punë në të njëjtin ndërrim me kolegun Fitim Bellaqin dhe se rreth orës 4 pas dite kishin marrë informatën se kishte ndodhur një grabitje në oborrin e qëndresa tregtare “Jumbo” në Fushë-Kosovë dhe në mungesë të patrullave u ishte kërkuar që të asistonin.

Me të marrë informatën tha se së bashku me kolegun e tij Fitimin kishin shkuar tek rreth-rrotullimi në vendin e quajtur “Te Ismeti”, ku e kishin takuar edhe njësinë e reagimit të shpejtë.

Më pas dëshmitari tha se të veshur me uniformë zyrtare dhe me veturë zyrtare kishin vazhduar në drejtim të rrugës “Përroi i Njelmët”, ku tha se kishin vërejtur një veturë “Golf 4”, ngjyrë hiri, pa targa ashtu siç u ishte dhënë informacioni për veturën me të cilën kishte ikur i dyshuari.

“Kemi vazhduar rrugën nga “Përroi i njelmët”, në atë lagje ka qenë kolonë si pasojë e kontrollës që e bënte njësia e reagimit të shpejtë. Diku rreth 300 metra larg “Përroit të njelmët” derisa ne lëviznim në drejtim të hekurudhës e kemi vërejtur një veturë “Golf 4”, ngjyrë hiri pa targa, e drejtonte një person dhe ishte duke lëvizur në drejtim të rreth-rrotullimit “Te Ismeti” dhe ishte duke pritur në kolonë”, tha dëshmitari.

Më pas ai tha se së bashku me kolegun e tij Fitimin i ishin afruar veturës dhe pasi që i ishin afruar afër ai tha se i kishte trokitur në xham të dyshuarit dhe i kishte thënë “Policia, hape xhamin”.

Por në atë moment i dyshuari/vozitësi veturës ishte zgjatur dhe në karrige kishte marrë diçka ngjyrë të zezë, për çka dëshmitari tha se kishin dyshuar se kishte qenë armë, dhe më pas i dyshuari vrullshëm e kishte nisur veturën, duke e rrezikuar kështu edhe jetën e kolegut Fitim Bellaqa si dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion pasi që i njëjti kishte dalë pastaj në shiritin e kundërt të lëvizjes.

Dëshmitaret thanë se më pas ata e kishin ndjekur të dyshuarin nga pas dhe në një moment ai e kishte zvogëluar shpejtësinë e veturës dhe e kishin parë që në dorë mbante një armë të cilën e kishte drejtuar në drejtim të tyre.

“Kur i jemi afruar në atë pjesën ku e ka zvogëluar shpejtësinë kam parë armën e tij në dorë të drejtuar në drejtimin tonë dhe me zë të lartë kam bërtitur me qëllim që t’i lajmëroj kolegët e tjerë: Arma-arma! E kam nxjerrë nga këllëfi edhe armën time zyrtare kam shtënë një herë me qëllim të ndalimit të të dyshuarit dhe sulmit që na vinte nga ai”, tha dëshmitari Gazmend Pantina.

Ai tha se më pas i dyshuari me veturën e tij kishte lëvizur me vrull deri tek rreth rrotullimi “Te Ismeti”, ku kishin qenë të pozicionuar kolegët e tjerë Bekim Ferizi e Zenel Latifi dhe se pastaj i kishin dëgjuar edhe disa të shtëna por që nuk e kanë ditur se prej cilës anë po vinin dhe se më pas vetura ishte ndalur si pasojë e bllokimit të komunikacionit dhe i dyshuari kishte dalë nga vetura e tij dhe ishte nisur me vrap që të arratisej por që i njëjti ishte goditur në disa rrethoja metalike.

Më pasi i dyshuari kishte mbetur i shtrirë përtokë, dëshmitari tha se i ishin afruar të dyshuarit së bashku me kolegun Fitim Bellaqa, i cili e kishte prangosur të dyshuarin.

Të dy hetuesit policorë kur u pyetën nga kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi nëse e ndjenin veten të dëmtuar dhe nëse dëshironin që të parashtronin kërkesë pasurore-juridike, të dy deklaruan se e ndjejnë veten të dëmtuar por që nuk dëshirojnë që të paraqesin kërkesë pasurore-juridike.

Gjatë kësaj seance gjyqësore pati edhe një përplasje në mes kryetarit të trupit gjykues Hamdi Ibrahimi dhe mbrojtësit të të akuzuarit Flamur Sahiti, avokatit Haxhi Millaku.

Në momentin kur e përfundoi dëshminë dëshmitari i parë, dhe u ftua në sallë që të dëshmonte dëshmitari i dytë, avokati Millaku pati vërejtje se dëshmitarët po komunikonin në mes vete, vërejtje të cilën i kërkoi kryetarit të trupit gjykues që ta evidentonte në procesverbal.

Por kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi tha se një gjë e tillë nuk është e mundur pasi që ka qenë një hapësirë kohore më pak se një minutë. Ai madje ia tërhoqi vërejtjen avokatit Millaku të cilit iu drejtua me fjalët: “A mundesh me e bë një shqyrtim gjyqësor pa u bë teatër këtu?”.

Të njëjtit po ashtu ia rikujtoi se gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit të dytë do t’i lejohet marrja në pyetje vetëm e drejtpërdrejtë dhe jo siç tha gjyqtari se kishte vepruar avokati Millaku gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit të parë.

Pas dëgjimit të këtyre dëshmitarëve, seanca gjyqësore u ndërpre për shkak të kalimit të orarit të punës së Gjykatës dhe seanca e radhës u caktua për datën 20 shtator.

Sipas aktakuzës, në tetor të vitit 2017 në Fushë-Kosovë në magjistralen “Nëna Tereza”, në parkingun e lokalit “LC Waikiki”, në afërsi të lokalit “Jumbo”, i pandehuri Flamur Sahiti pas mosmarrëveshjes paraprake, në bashkëkryerje me personat NN, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, me përdorimin e armëve kanë përvetësuar pasurinë e huaj të luajtshme, në atë mënyrë që derisa të dëmtuarit ishin në parking Antoneta Lekaj menaxhere-arkëtare dhe Blerim Gashi menaxher i lokalit “Jumbo” duke shkuar në këmbë për t’i dorëzuar të hollat e qarkullimit ditor në bankë në shumën prej 11.160, të cilat i ka pasur e dëmtuara Antoneta, i pandehuri Flamur Sahiti e nxjerr armën dhe ia drejton të dëmtuare Antoneta ndërsa i pandehuri NN e nxjerrë sprejin dhe e zbrazë duke ia hedhur në fytyrë të dëmtuarit Blerim dhe të dëmtuarës Antoneta.

Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri Flamur Sahiti me forcë ia kap nga krahu çantën të dëmtuarës Antoneta, e cila nuk e ka lëshuar dhe e ka tërhequr me forcë çantën dhe ia ka këputur rripin e çantës dhe ia merr dhe pastaj të dy të pandehurit futen në veturën e tyre dhe me shpejtësi largohen nga vendi i ngjarjes në drejtim të Prishtinës, me ç’rast njoftohet Stacioni Policor Jugu në Prishtinë.

Në aktakuzë pastaj thuhet se me datë të njëjtë i pandehuri Flamur Sahiti ka sulmuar personat zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare të dëmtuarit Gazmend Pantina, Fitim Bellaqa, Bekim Ferizin e Latif Zenelin të cilët me të marrë informatën nga AS-baza kishin provuar që ta ndalonin veturën e të njëjtit

Nën pretendimin se Flamur Sahiti i ka kryer këto veprime të lartpërmendura, prokuroria e akuzon të njëjtin se në bashkëkryerje me personat e paidentifikuar ka kryer veprat penale të grabitjes si dhe të sulmit ndaj personave zyrtar.