Foto: Kallxo.com

Gjakovë, burg e gjobë për grabitjen në tentativë në "Ria Capital"

Trim Vokshi, i akuzuari për grabitje në tentativë në “Ria Capital”, u dënua me 3 vite burgim e 6 muaj.

Përveç dënimit me burgim, të akuzuarit Trim Vokshi iu dha edhe dënimi me gjobë prej 600 euro.

Në këtë dënim atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Ndërsa, pala e dëmtuar Pajtim Hajdari u udhëzua në kontest civil.

Prokuroria pretendon se Trim Vokshi i maskuar e me armë kishte tentuar ta grabisë institucionin financiar “Ria Capital”.

Në seancën e fjalës përfundimtare, nga Prokuroria kishte bërë ricilësimin e veprës penale, duke kërkuar dënim më të rëndë për të akuzuarin.

Sipas aktakuzës, në prill të vitit 2019, në filialen “Ria Capital”, dyshohet se i akuzuari Trim Vokshi në bashkëkryerje me Sinan Kamerin kishin kryer veprën penale të grabitjes në tentativë.

Personi Sinan Kameri, i cili dyshohet se ka bërë roje, gjendet në arrati dhe ende nuk është gjetur nga Policia.

Aktakuza shpjegon se Trim Vokshi, kishte qenë i maskuar dhe me armë në dorë ndërsa Sinan Kameri kishte bërë roje.

Trim Vokshi dyshohet se kishte hyrë brenda në objekt dhe personave Arbnore Sada, Pajtim Hajdari, Renata Mati-Emini iu kishte drejtuar me fjalët “qitni lekët”, e më pas ishte ndezur alarmi dhe i njëjti kishte ikur me armë në dorë.