Fotografitë dëshmojnë skemën e vjedhjeve në 20 biznese në Prishtinë

Në gjykimin e Eset Dragushës dhe Albert Lecit, të akuzuar për grabitje në 20 biznese në Prishtinë, sot janë shikuar pamjet nga rastet e grabitjeve, të sjella në CD nga Prokuroria.

CD-ja e parë është e grabitjes së kazinosë ‘’Play 4 cash’’ në lagjen Veterrnik  në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë grabitja ka ndodhur më 5 shkurt 2017 në ora 01:05. Në këtë rast, sipas Prokurorisë, i akuzuari Albert Leci e dërgon me veturën Golf 4 të akuzuarin tjetër, Eset Dragusha, i cili hyn në kazino dhe nën kërcënimin e armës merr 1.200 euro.

Foto: KALLXO.com

Grabitja e dytë kishte ndodhur  më 5 mars 2017 rreth orës 23 15  në rrugën ‘’Ahmet Krasniqi”.

Edhe këtu Albert Leci e afron me veturën ‘’Golf 4’’ të akuzuarin Eset Dragusha, i cili hyn në marketin ‘’Vipros’’ dhe grabit 290 euro nga tani e dëmtuara Antigona Gashi.

Grabitja e tretë kishte ndodhur më 14 mars 2017, rreth orës 22:30 në rrugën ‘’Zagrebi’’, ku sipas Prokurorisë të akuzuarit kanë grabitur marketin ‘’Meridian Express’’, në stilin e njëjtë. Këtu, Eset Dragusha hyn në market  duke qenë i maskuar dhe nën kërcënimin e armës merr 514 euro nga i dëmtuari Ilir Lekaj.

Grabitja e katërt e  datës  16.3.2017 në  marketin ‘’Maxi’’. Sipas prokurores së rastit, në bazë të ecjes dyshohet se edhe këtu është i pandehuri Eset Dragusha.

Foto: KALLXO.com

Grabitja e  pestë  e datës 19 mars 2017 në  pompën  e derivateve ‘’Petrol Company’’. Në këtë rast, personit të armatosur nuk i vërehet fytyra.

Grabitja e gjashtë e datës 7 prill 2017, në marketin  ‘’Kam’’. Të pandehurit akuzohen se nga i dëmtuari Dëfrim Rexhepi marrin nën kërcënimin e armës 873 euro.

Për grabitjen e shtatë CD-ja nuk u hap.

Fjala është për grabitjen e barnatores ‘’Humana’’ në rrugën ‘’Mark Dizdari’’më 12 maj 2017 rreth orës 00:05. Aty i pandehur Albert Leci e ka dërguar me veturën Golf 4 deri në afërsi të barnatores të akuzuarin Eset Dragusha, i cili ka hyrë në barnatore i maskuar dhe duke e kërcënuar me armë nga i dëmtuari Besim Krasniqi ka marrë 220 euro.

Grabitja e  tetë të kishte ndodhur më më 10 qershor 2017 në  rrugën ‘’Ahmet Krasniqi’’, në marketin  ‘’Vipros’’ ku i akuzuari Eset Dragusha  i maskuar dhe  me armë të gjatë ka hyrë në market dhe nga I dëmtuari Emin Gashi ka marrë 100 euro.

Për tentim  grabitjen  e 9-të,  e cila kishte ndodhur më 7 gusht 2017 në ora 00:58,  në rrugën ‘’Taulantia’’, në pompën e derivateve ‘’Veda 3’’, të akuzuarit pasi kishin hyrë në pompë e kishin rrahur të dëmtuarin Xhemajl Maliqi deri në alivanosje por nuk kanë arritur që nga ai të marrin të holla. Për këtë tentativeë, Prokuroria nuk ka CD.

Grabitja e  10-të kishte ndodhur në  marketin  ‘’Albi’’ në rrugën “Hamzë Jashari”. I akuzuari Eset Dragusha sipas Prokurorisë ka hyrë me  armë të gjatë dhe me maskë në fytyrë duke i urdhëruar dy punëtoret e arkës që njëra të ofrojë najlonin dhe tjetra t’i vërë paratë në të, duke marrë 500 euro.

Grabitja e  11-të kishte ndodhur më  25 shtator 2017 në  marketin ‘’Maxi” në lagjen “Arbrria”. Grabitësi është futur  i maskuar dhe nën kërcënimin e armës ka marrë nga i dëmtuari Trim Çoçaj pazarin ditor.

Grabitja e  12-të  kishte ndodhur në rrugën ‘’Hajrullah Avdullahu’’ në marketin ‘’Meridian Express’’.

Grabitja kishte ndodhur në atë mënyrë që pasi i akuzuari Albert Leci e kishte dërguar me veturën Golf 4 të akuzuarin Eset Dragusha i njëjti është futur në market dhe duke e  kërcënuar me armë  të gjatë në dorë nga i dëmtuari Kushtrim Mehmeti merr 800 euro.

Foto: KALLXO.com

Grabitja e  13-të kishte ndodhur më 27 shtator 2017 në rrugën ‘’Enver Maloku’’ në marketin “Maxi” në Prishtinë. Kjo grabitja ka ndodhur në atë mënyrë që pasi i akuzuari Albert Leci e ka afruar me veturën Golf deri te marketi, i akuzuari Eset Dragusha ka hyrë në market i maskuar dhe nën kërcënimin e armës nga e dëmtuara ka marrë shumën e të hollave që ishin në arkë. Lidhur me këtë grabitje CD-ja nuk është hapur për shkaqe teknike.

Grabitja e  14-të kishte ndodhur  më 08 tetor 2017 në  rrugën ‘’Armend Daci’’ në  marketin  ‘’Albi’’ grabitja kishte ndodhur në stilin e njëjtë. i akuzuari Eset Dragusha ka hyrë në market i maskuar dhe nën kërcënimin e armës nga e dëmtuara Blerta Gashi ka marrë 800 euro.

Grabitja e  15-të kishte ndodhur më 11 tetor 2017, në  pompën  e derivateve  ‘’Labi Oil’’, në atë mënyrë që pasi i akuzuari Albert Leci e ka dërguar me veturën Golf 4 afër pompës së derivateve  personi i maskuar ka armë të gjatë, kapelë te kaltër, xhaketë me ngjyrë të zezë, pantallona të zi,  dorëza.

Rasti I 16-të, 13.10.2017, në rrugën ‘’Selami Pulhar’’ pompa e derivateve ‘’Deda Petrol’’ në Prishtinë. Grabitësi ka armë të gjatë dhe është i veshur me të zeza.

Rasti i 17-të i datës 28.10.2017 në rrugën “Ahmet Gashi” në marketin “Meridian Express”. Grabitësi ka të veshur xhaketë ngjyrë të kaltër të mbyllët, xhinse, maskë dhe  armë të gjatë.

Grabitja e 18-të kishte ndodhur më 13 tetor 2017 në rrugën ‘’Hamdi Grajqevci’’, ku të akuzuarit Eset Dragusha dhe Albert Leci me qëllim të fitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore nën kërcënimin e armës kanë hyrë në kazinonë  ‘’Play 4 win’’ dhe nën kërcënimin e armës kanë marrë 1200 euro. CD për këtë grabitje kishte problem.

Ndërsa për grabitjen  e 19-të dhe 20-të Prokuroria nuk kishte dorëzuar CD.

Grabitja e 19-të kishte ndodhur më 2 nëntor 2011, në rrugën ‘’Rrustem Statovci’’ në ‘’Albi Mall’’ ashtu që pasi i akuzuari Albert Leci kishte dërguar me veturën Golf 4 deri në afërsi të vendit, i akuzuari Eset Dragusha kishte hyrë i maskuar dhe nën kërcënimin e armës kishte marrë 600 euro.

Ndërsa grabitja e 20-të kishte ndodhur më 7 nëntor 2011, rreth orës 17:05 në lagjen ‘’B’’ në ‘’Western Union’’ në mënyrë të njëjtë, ku fillimisht i akuzuari Albert Leci e kishte dërguar afër Western Unionit me veturën Golf 4 pastaj i akuzuari Eset Dragusha ishte futur i maskuar dhe nën kërcënimin e armës ka marrë 6000 euro.

Për këto video kishte vërejtje avokati Aziz Rexha, mbrojtës i të akuzuarit Eset Dragusha, me arsyetimin se ‘’ në këto video personi që grabit është i maskuar dhe prokurorja nuk është eksperte që identifikimin e të akuzuarit Eset Dragusha ta bëjë në bazë të ecjes.

Dy të akuzuarit Albert Leci dhe Eset Dragusha gjenden në paraburgim deri më 14 dhjetor 2019 për shkak se ekziston rreziku i ikjes së tyre. Po ashtu, ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprës penale të grabitjes, deklaroi për KALLXO.com gjykatësja Violeta Namani.

Seanca e radhës u caktua për më 4 dhjetor 2019.