Gjykimi për grabitje - Foto: KALLXO.com

Prishtinasi rrëfen si ia grabitën 2.500 euro në Gjakovë

Katër të akuzuarit për grabitjen e 2.500 eurove janë sjellë të prangosur sot në sallën e  Gjykatës së Gjakovës.

Genti Vatnikaj, Simon Pnishi, Jonson Pnishi dhe Bernard Nikollbibaj, duke vepruar në bashkëkryerje dyshohet se i kanë grabitur shumën prej 2.500 euro të dëmtuarit Rron Krasniqi.

Në seancën e sotme ka dëshmuar dëshmitari Hamit Beka, i cili tregoi se të dëmtuarin Rron Krasniqi e njeh përmes shoku të tij, Milot Kastrati.

Ai tha se në natën kritike bashkë me Milot Kastratin e Rron Krasniqin ishin nisur për në Gjakovë që të takohen me personin D. A. për të blerë një qese marihuanë.

Dëshmitari tha se afër furrës “Record”, te Stacioni i Autobusëve në Gjakovë, kishte ardhur edhe një veturë tjetër me tre persona brenda.

“Unë me Milot Kastratin kemi qëndru në veturën tonë e mandej Rroni ka hypë në kerr tek ata personat për me folë me ata, por pas 2-3 minutave ata janë nisur, por që dy prej tyre mund t’i identifikoj. Njëri ka qenë me mjekër të verdhë dhe i trashë ndërsa tjetri ka qenë zeshkan e i gjatë”, deklaroi dëshmitari Hamit Beka.

Dëshmitari tha se i dëmtuari Rron Krasniqi i ka pasur 10 ose 15 euro, për të blerë një qese drogë.

“Disa herë e kemi thirrë Rronin në telefon por nuk na ka hapur dhe pasi na është lajmëruar na ka thënë që e kanë plaçkitë”, deklaroi Hamit Beka.

I pyetur nga prokurori Ramiz Buzhala se a janë prezentë në sallë personat që i ka parë te Stacioni i Autobusëve, dëshmitari tha se këtu janë ata dy personat që i ka parë.

“Njëri prej këtyre dyve është ai që ka qenë në ulësen përpara, por nuk e di saktë se cili është sepse e di që ka pasur mjekër dhe në ulësen prapa ka qenë një zeshkan”, u përgjigj dëshmitari.

Hamit Beka tregoi se atë natë D. A. u kishte thënë që mos ta përmendin në Polici, me arsyetimin se ishte duke e ndjekur Policia.

Më pas, dëshmoi edhe i dëmtuari Rron Krasniqi, i cili tregoi se nga Prishtina në Gjakovë kishin ardhur për të blerë cigare hashash.

“Unë me Milot Kastratin dhe Hamit Bekën kemi qenë në veturë, pastaj Hamiti i ka treguar D. kur kemi mbërri te Stacioni i Autobusëve në Gjakovë, aty jemi takuar me Dritëron i cili më ka thënë me shku në veturë me të akuzuarit dhe unë kam hipur në veturën e këtyre personave”, deklaroi i dëmtuari Rron Krasniqi.

Ai tha se Milot Kastrati i kishte dërguar mesazh me fjalët “ruju se po dojnë me t’i marrë paret”.

“Në veturë ku kam hypë ka qenë Jonson Pnishi, Gent Vatnikaj dhe një djalë tjetër me sy të kaltër, që nuk është këtu dhe kurrë më nuk e kam parë”, deklaroi Rron Krasniqi.

I dëmtuari Rron Krasniqi tha se nën kërcënim të armës ia kishin marrë 2 mijë e 490 euro.

“Kemi shkuar te pishat dhe aty pas disa minutave kanë ardhur personat Simon Pnishi dhe Bernard Nikollbibaj me veturë Laguna dhe unë me Gentin kemi dalë prej veturës dhe kemi hypë në veturën e Simonit”, tha ai.

Rron Krasniqi theksoi se Milot Kastrati ishte në dijeni se çka do të ndodhte.

“Miloti non-stop më ka thirrë në telefon sepse e dinte çka ka me ndodhë, ndërsa personi Gent m’thojke që assesi mos me hap telefonin”, deklaroi Rron Krasniqi.

Ai tregoi se paratë ua kishte dhënë sepse kishte qenë i kërcënuar dhe në vend të panjohur.

“Sa kemi qenë në veturë Genti e ka nxjerrë armën dhe më ka thënë jepmi paret se ju të Prishtinës jeni të pabesë, pastaj edhe Bernardi ma ka drejtuar armën dhe ua kam dhënë 2 mijë e 490 euro”, tha i dëmtuari.

Rron Krasniqi përshkroi edhe katër personat që atë natë e kishin lënë në vend të panjohur.

“Katër personat që i kam pa kanë qenë: personi i parë me flokë të bardha, me mjekër, i plotë në trup, personi i dytë zeshkan me flokë të zi, të dytë këta përafërsisht 1 metër e 78 edhe personi i tretë ka qenë me flokë të bardha me mjekër si të verdhë si dhe personi i katërt me flokë të zeza e mjekër të zezë”, deklaroi Rron Krasniqi.

Mirëpo, mbrojtësi i të akuzuarit Jonson Pnishi, avokati Muharrem Hoti tha se ky përshkrim është i jashtëligjshëm, me arsyetimin se dëshmitari tashmë i ka parë disa herë në seancë se si duken të akuzuarit.

Në këtë seancë gjatë dëshmisë së dëshmitarëve kishte kundërshtime e vërejtje mes avokatëve.

E më së shumti polemika e komente pati mes avokatit Asdren Hoxha, i cili e përfaqësonte palën e dëmtuar dhe avokatit Muharrem Hoti, që e përfaqësonte njërin prej katër të akuzuarve.

Në anën tjetër të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve kërkuan nga Gjykata që ndaj klientëve të tyre të ndërpritet masa e paraburgimit dhe e njëjta të zëvendësohet me një masë tjetër alternative.

Ndërsa gjykatësi Shaqir Zika u tha avokatëve që ku keni pa ju që të akuzuarve për grabitje t’u ndërpritet paraburgimi.

Seanca e radhës u caktua për më 9 dhjetor.

Seanca e kaluar ishte shtyrë në përpjekje për të gjetur dëshmitarin Hamit Beka.

Gjakovë- Prokuroria kërkon paraburgim ndaj katër personave për grabitje

Në këtë rast kishte dëshmuar një dëshmitarë që asnjëherë nuk i kishte parë të akuzuarit.

Të arrestuarit për grabitje sillen të prangosur para Gjykatës

Sipas aktakuzës, më 14 maj 2019, dyshohet se pasi që janë marrë vesh mes vete, katër te akuzuarit kanë kryer veprën penale të grabitjes, ku i dëmtuari Rron Krasniqi me qëllim të blerjes së narkotikëve, kishte hipur në veturën e tipit Renault, ku aty kanë qenë katër të akuzuarit dhe janë nisur në drejtim të Shkugëzës.

Aktakuza thotë se i pandehuri Gent Vatnikaj ia kishte vendosur revolen në bark dhe ia kishte marrë 2.500 euro, duke e lënë të dëmtuarin Rron Krasniqi në rrugë.

Lidhur më këtë rast Prokuroria në maj të këtij viti kishte kërkuar paraburgimin e tyre.

Të arrestuarit për grabitje sillen të prangosur para Gjykatës

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

Katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën që u ngarkohet.