Afër fundit gjykimi për grabitjen e mbi 200 mijë eurove

Skifter Beqiraj i cili akuzohet  për grabitjen e 223 mijë eurove doli sot para gjykatës në Pejë ku brenda dy ditësh pritet të merret vendim për të.

Sipas aktakuzës, Beqiraj me disa persona të tjerë kishin tërhequr zvarrë dhe e kishin Gazmend Gashin për t’ia marrë çelësat e një këmbimoreje ku më pas janë vjedhur paratë.

Në këtë rast ishte rihapur shqyrtimi kryesor lidhur me këtë çështje, me arsyetimin se janë shfaqur dilema lidhur me mendimin e ekspertëve të laboratorit të forenzikës.

Gjatë seancës se djeshme është bërë ballafaqimi i dëshmitarëve/eksperteve të ADN-se, ashtu që sot është vazhduar me fjalën përfundimtare.

Prokuroja e rastit, Sahide Gashi tha se edhe pas rihapjes se këtij shqyrtimi gjyqësor ekspertët kanë mbetur konsistent në konstatimet qe i kanë bërë në raportin e ekspertizës se ADN-së.

Në anën tjetër prokuroja tha se me të gjitha provat është vërtetuar se ditën kritike dhe në dy gjurmët e nxjerra nga vendngjarja janë gjetur ADN-ja e të akuzuarit Skifter.

Sipas saj këto prova përfshijnë  një njollë të kuqe e gjakut në xhaketën e të dëmtuarit Gazmend, si dhe në kabllon me të cilën të dëmtuarit i janë lidhur duart.

I dëmtuari Gazmend Gashi kërkoi dënim maksimal ndaj të akuzuarit dhe dëmshpërblimin.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Skifter Beqiraj, avokati Sali Mekaj në fjalë përfundimtare tha se nuk është arritur të vërtetohet drejt gjendja faktike pasi sipas tij ka pasur deklarimet konfuze, kontradiktore dhe jo profesionale të eksperteve të forenzikës.

Ai tha se  ky konfuzion është një sfidë  e papërballueshme për gjykatën që të sjellë një vendim të drejtë.

Lidhur me raportin e ADN-se, Sali Mekaj tha se aktakuza mbështet vetëm në këtë provë të vetme, e ky raport sipas tij është marrë në kundërshtim me protokollet dhe standardet e obligueshme qe zbatohet me rastin e përpilimit të raporteve të tilla.

Avokati Mekaj shtoi se prokuroria nuk ka arritur të provojë shumën e të hollave që janë marrë ditën kritike, dhe se është bazuar në letra që i dëmtuari i ka nxjerrë nga xhepi që nuk kanë mbështetje ne evidenca zyrtare të biznesit të tij dhe sipas tij është për habi si gjykata nuk pati interesim të merret me vërtetimin e këtij fakti.

Trupi gjykues me kryetar gjykatësin Sylë Lokaj, tha se shpallja do të bëhet me datë 10.10.2019 me fillim prej orës 15:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, pasi grabitësit, i akuzuari Beqiraj dhe 3 persona te paidentifikuar, e kanë shtrirë për toke të dëmtuarin Gazmend Gashi, e kishin tërhequr zvarrë viktimën deri në dhomën e pritjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ata më pas ia kishin lidhur gojën dhe duart dhe me anë të goditjeve e kishin detyruar që të tregojë se ku e kishte fshehur çelësin e këmbimores nga e cila me pas ia kishin marrë të gjitha paratë.

Sipas prokurorisë, njëri nga anëtarët e grupit, me çelësa në dorë kishte shkuar të këmbimorja “Te Gazi”, dhe kishte arritur t’i marrë paratë në valuta të ndryshme, në vlerë mbi 223 mijë euro.

Aktakuza specifikon se grabitësit arritën t’ia marrin Gazmend Gashit 146,490.00 franga zvicerane, 27,433.00 dollarë amerikanë, 52,090.00 euro, 1,237.23 euro në valuta të ndryshme, mbi 200,000 lekë si dhe ari në vlerë prej 15,000.00 euro.

Prokuroria tregon si iu grabitën pejanit rreth 230 mijë euro