Foto: KALLXO.com

Prokuroria: Ky është ‘stili’ i të akuzuarit për t’ua grabitur qytetarëve telefonat

Prokuroria e Prishtinës ka përshkruar në aktakuzën metodën që përdorte i akuzuar për t’u grabitur qytetarëve telefonat celularë, por edhe gjësende të tjera.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Agron Gashi ka kryer këto vepra në vazhdimësi.

Në aktakuzë përshkruhet rasti i datës 11 nëntor 2011, i cili ka ndodhur rreth orës 18:00, në rrugën ‘’Rexhep Luci’’, në Prishtinë.

Aktakuza pretendon se i akuzuari Agron Gashi me qëllim të fitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore me përdorimin e forcës kishte marrë nga i dëmtuari Enis Arifaj telefonin.

Prokuroria pretendon se derisa i dëmtuari Enis Arifaj ishte së bashku e shokët T.G. dhe E.K. atyre u ishte afruar i akuzuari dhe të dëmtuarit i kishte kërkuar telefonin kinse për të bërë një thirrje e në ato momente ishte afruar edhe personi NN me thikë në dorë. I dëmtuari, sipas aktakuzës, ia jep të akuzuarit telefonin ‘’Nokia N95’’ në vlerë prej 120 euro e më pas i akuzuari dhe shoqëruesi i tij ishin larguar në drejtim të panjohur.

Po ashtu, sipas aktakuzës, më 12 nëntor 2010, në sheshin ‘’Zahir Pajaziti’’, i akuzuari pas marrëveshjes paraprake me dy persona të panjohur deri më tani, me forcë ua kanë marrë telefonat të dëmtuarve J.K. dhe A.I., në atë mënyrë që derisa të miturit-të dëmtuarit kanë qenë duke dalë në shesh u janë afruar të pandehurit dhe nga ta kanë marrë telefonat ‘’Nokia 6300’’ në vlerë prej 100 euro dhe  telefonin ‘’Sony Ericson’’ në vlerë prej 40 euro dhe xhaketën në vlerë prej 40 euro.

Në seancën e sotme, i akuzuari Agron Gashi  është deklaruar i pafajshëm për grabitjet për të cilat akuzohet.

“Nuk e ndij veten fajtor. Nuk është natyrë e imja me ia marrë ‘jaknen’ dikujt. Hajt ndoshta telefonin por jaknen jo”, tha i akuzuari pasi u pyet nga gjykatësi Lutfi Shala se a e ndjen veten fajtor për veprën për të cilën akuzohet nga Prokuroria.