Publikimi i vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për të drejtat pronësore, të përkthyera në shqip e serbisht – Foto: KALLXO.com

Përkthehen në shqip e serbisht 144 raste të vendimeve të Gjykatës Europiane

Ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit të misionit të USAID-it Brian Martalus dhe presidenti i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, gjatë ditës së sotme folën rreth prezantimit të publikimeve të përmbledhjeve të vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në gjuhën shqipe dhe atë serbe.

Përmbledhjet e 144 vendimeve kyçe të GjEDN-së në fushën e të drejtave pronësore janë publikuar për herë të parë në gjuhën shqipe dhe atë serbe si për gjykatat ashtu edhe për institucionet tjera relevante në Kosovë.

Brian Martalus tha se Kushtetuta e Kosovës është moderne dhe simbolizon vlerat dhe të drejtat e njeriut, prandaj edhe të drejtat e individëve për të shfrytëzuar pronën janë ndër më themeloret.

Ai theksoi se përmbledhja e 144 vendimeve që kanë të bëjnë me raste pronësore do të krijojnë mjedis më demokratik përmes zbatueshmërisë së tyre.

“Kushtetuta e Kosovës që feston 10 vjetorin e saj është moderne dhe përparimtare dhe simbolizon vlerat e vendit dhe i ruan të drejtat e njeriut dhe shërben si udhërrëfyes. Kushtetuta e juaj i detyron gjykatësit që t’i referohen kësaj Gjykate. E drejta e individëve për të poseduar dhe shfrytëzuar pronën është një nga të drejtat themelore dhe jemi të lumtur që mund t’ju japim lajmin se 144 vendime apo përmbledhje të tyre janë përkthyer në gjuhën serbe dhe shqipe. Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që i shfrytëzon vendimet e kësaj Gjykate mirëpo tani me këto përkthime të gjitha gjykatat dhe palët e interesuara do të kenë mundësi t’i aplikojnë, me theks të veçantë në të drejtën pronësore dhe do të krijojë një mjedis më të përshtatshëm. Kjo do të shpie në një shoqëri më demokratike dhe i propozojmë që t’i lexojnë këto vendime”, zëvendësdrejtori i USAID-it.

Ndërkaq, Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës tha se zhvillimi i praktikave të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut krijon një siguri te qytetarët për të drejtat e tyre pronësore.

Ai shtoi se përkthimi i këtyre rasteve e zbut zhvillimin e vështirë të proceseve gjyqësore në rastet e kontesteve pronësore.

“Standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë rëndësi të veçantë për shtetet dhe në veçanti për vendet në tranzicion. Kosova në këtë rast është ithtare e zotuar në Kushtetutë të cilat derivojnë nga konventa e të drejtave të njeriut dhe lirive fondamentale. Zhvillimi i mëtutjeshëm i njohurive dhe praktikave të gjykatës europiane dhe të drejtave të njeriut nga profesionistë të kësaj lëmie në Kosovë krijojnë një siguri më të madhe për qytetarët dhe të drejtat e tyre pronësore në Kosovë. Bashkërisht me programin e USAID-it jemi duke zhvilluar një përmbledhje të vendimeve të gjykatës supreme në fushën e të drejtave pronësore. Kemi nevojë me pasë publikime të tilla sepse e kemi një hendikep gjuhësor dhe do të na ndihmoni neve që ta përforcojmë praktikën gjyqësore për qytetarët tonë dhe të drejtat e tyre”, përfundoi ai.

Ekspertja përgjegjëse për përmbledhjet e rasteve, Dafina Buçaj tha se në përditshmëri gjyqtarët e kanë të vështirë të marrin vendime në rastet e pronave, prandaj edhe përkthimi i kësaj përmbledhjeje të rasteve pronësore do t’i ndihmojë ata që të kenë një siguri juridike.

Buçai shtoi se përmbledhja e rasteve është bërë në bazë të tre kritereve: Rëndësisë së rastit, periudhës kohore dhe afërsisë rajonale.

“Gjyqtarët kanë sfida të jashtëzakonshme se si me i apliku në praktikë. Shpeshherë ndoshta kanë raste që kanë vlera milionëshe. Nganjëherë nuk janë shumë të sigurt se si me e marrë vendimin. Ne mendojmë që këto raste kanë me na ndihmu me u apliku edhe prej gjyqtarëve tanë dhe me pasë një siguri juridike. Gjykata Europiane ka pasur rreth pesëmijë raste të pronave. I kemi caktuar tre kritere në përzgjedhjen e rasteve: rëndësia e rasteve, mandej kriteri i kohës sepse kemi tentuar që të marrim më shumë rastet që janë të viteve të fundit, kriteri i fundit që është me relevancë është afërsia rajonale për shkak të të qenit ish pjesë e Jugosllavisë sepse problemet që ka Kosova me fushën e pronave janë të ngjashme me ato të vendeve të rajonit, andaj jemi munduar që të jenë raste që i kemi marrë prej rajonit”, theksoi Buçaj.

Përmbledhja e këtyre vendimeve të Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut u tha se do të shpërndahet në institucione të ndryshme duke përfshirë edhe bibliotekat.