Me ndihmën e USAID-it, Qeveria hapë ankandin e parë për energji solare

Me përkrahjen e organizatës amerikane USAID, Qeveria e Kosovës ka prezantuar të enjten ankandin e parë për energji solare.

Në konferencën e mbajtur për prezantimin e ankandit kanë marrë pjesë ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, kryeministri Albin Kurti si dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ky është një hap madhor për Kosovën, që sipas tij  ndodhë për herë të parë për të luftuar ndryshimet klimatike dhe zvogëlimin e varësisë nga derivatet fosile.

“Kjo është pjesë e Strategjisë Kombëtare e cila ka të bëjë me pavarësi energjetike dhe përdorimin e energjisë së gjelbër. Jam shumë i kënaqur që ministrja Rizvanolli dhe ekipi i saj kanë arritur që të zhvillojnë këtë iniciativë dhe të krijojnë një proces ofertimit të hapur, në përputhje me standardet ndërkombëtare” – tha ndër të tjera kryeministri.

Kurse, Ambasadori amerikan, Hovenier tha se ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën për tu përballur me ndryshimet klimatike.

Ai deklaroi se është i lumtur që bashkëpunon me popullin e Kosovës, për të ndihmuar në përshpejtimin e ardhmes së pastër energjetike të Kosovës.

“Përfshirja e energjisë së ripertrishme paraqet një hap të rëndësishëm që është i domosdoshëm për tu përballur me ndryshimet klimatike, që është çështje përcaktuese e kohës tonë. Por ky park, ky ankand paraqet një hap të rëndësishëm përpara drejt integrimit të plotë evropian të Kosovës, duke ndihmuar Kosovën për të ecur një hap përpara për t’i përmbushur standardet dhe kërkesat e BE-së për energji të ripërtrishme” – tha ambasadori.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli deklaroi se kapacitetet e ripërtrishme janë kyçe për pavarësinë energjetike, si dhe për të siguruar zhvillim ekonomik në vend.

“Është e rëndësishme që të mbështesim një proces me konkurencë të mirëfilltë për të ofruar një çmim më të mirë për qytetarët. Opsionin e parë që do ta kemi është 100 Megavat të prodhimit të rrymës, duke bërë zgjidhje në inovacion dhe në sektorin e prodhimit të energjisë, e me këtë edhe përmirësimin e jetës së qytetarëve” – tha Rizvanolli.

Parku për energji solare është një investim në vlerë prej 75 milionë euro dhe pritet të prodhojë deri në 100 megavat energji.