Ekipi negociator i Kosoves foto KALLXO.com

Përçarje në Ekipin Negociator?

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh bashkëkryesues i Ekipit Negociator të Kosovës për dialogun me Serbinë, Fatmir Limaj gjatë një tubimi partiak të hënën në Prishtinë, thumboi kolegun e tij të ekipit, Shpend Ahmetin.

Limaj dhe Ahmeti morën timonin e udhëheqjes së Delegacionit Shtetëror të Kosovës për bisedimet me Serbinë, në dhjetor të vitit të kaluar në Kuvend.

Ndërkaq, Limaj, së fundmi tha se “kryeqyteti po vuan nga ata që nuk guxojnë të marrin vendime”, duke aluduar kështu në kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Ne jetojmë këtu në kryeqytet ku vuajmë nga ata që nuk guxojnë të marrin vendime, prandaj e kemi këtë pallat qysh e kemi sot. Ne jetojmë në kryeqytetin tonë, ku ende nuk ka pasur asnjë kryetar që ka ditur të bëj transformime thelbësore për ta ndryshuar. Dhe në vend që të merresh me punë konkrete për atë që je zgjedhur merresh me gjëra të kota dhe krejt e kthen drejtimin në imazh”, ka thënë Limaj para qytetarëve prishtinas.

Fatmir Limaj në Prishtinë, 24 qershor 2019 – Foto: Facebook

Por në partinë e Shpend Ahmetit, janë të rezervuar për të komentuar akuzat e Limajt.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në PSD për të marr një qëndrim nga Ahmeti, por të njëjtit kanë thënë se nuk e komentojnë këtë deklaratë.

Ekipi Negociator është formuar pas miratimit në Kuvend të rezolutës për dialogun me 15 dhjetor 2018, e cila është harmonizuar  mes deputetëve të partive në pushtet dhe Partisë Socialdemokrate (PSD).

Ndërkaq, Limaj e Ahmeti patën shumë paraqitje publike së bashku, si dhe disa takime në Bruksel, pa njoftime paraprake.

Të njëjtit edhe  ishin ‘ankuar’ se nuk kanë dokumentacion të bollshëm për procesin e dialogut, pasi kishin dalë nga një takim me presidentin Hashim Thaçi në janar të këtij viti.

Shpend Ahmeti, Hashim Thaci dhe Fatmir Limaj në takim Foto: ZPRK

Ndonëse kanë udhëtuar vetëm dy herë në Bruksel, Delegacioni shtetëror i Kosovës për bisedime me Serbinë deri më tani ka shpenzuar 42 mijë e 763 euro nga buxheti prej 300 mijë euro që i posedon, mjete të cilat ua ka ndarë Qeveria e Kosovës.

Ndërkaq, mosuniteti i skenës politike kosovare sa i përket temës së dialogut është shpërfaqur së fundmi edhe në një konferencë ku flitej për negociatat Kosovë – Serbi të hënën e kësaj jave.

Në një rast gjatë konferencës, presidenti Hashim Thaçi dhe bashkëkryesuesi i ekipit negociator të Kosovës, Shpend Ahmeti, u përfshinë në një polemikë rreth takimeve sekrete të përfaqësuesve të dy vendeve.

Hashim Thaçi e Shpend Ahmeti – 24 qershor 2019

Fillimisht ishte Presidenti ai që kritikoi takimin sekret, larg syve të opinionit, të dy këshilltarëve të kryeministrit të zhvilluar javën e kaluar në Berlin me përfaqësues të qeverisë së Serbisë.

Por Shpend Ahmeti, kur e mori fjalën, ia përmendi Thaçit edhe ‘takimet sekrete’ që ai tha se Presidenti i ka zhvilluar me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka stagnuar pas vendosjes së takës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, me ç’rast Serbia i ka bojkotuar negociatat.

Ekipi negociator, mes kritikave dhe lëvdatave për unitet në dialog

.