Ekipi negociator i Kosovës - Foto: KALLXO.com

Ekipi negociator, mes kritikave dhe lëvdatave për unitet në dialog

Partia Socialdemokrate që nga korriku i këtij viti ka pritur që të votohet rezoluta e saj për dialogun Kosovë-Serbi, dokument i cili ka hyrë në rend të ditës disa herë në seanca të Kuvendit, por për të cilën nuk arrihej kuorumi për t’u votuar.

Por, kjo pritje ka marrë fund më 15 dhjetor të këtij viti, pasi 42 deputetë të Kuvendit të Kosovës kishin bërë kërkesë për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për miratimin e Projektrezolutës mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Kjo rezolutë e harmonizuar ka marrë 52 vota për, 2 abstenime dhe ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Visar Ymeri, nënkryetar i PSD-së dhe deputet i këtij subjekti i ka lexuar emrat që janë propozuar të jenë pjesë e delegacionit shtetëror për dialogim.

Shpend Ahmeti nga PSD dhe Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate janë propozuar si kryesues të këtij delegacioni.

Ndërkaq, anëtarë sipas kësaj rezolute do të jenë: Enver Hoxhaj nga PDK, Avni Arifi nga AAK, Behgjet Pacolli nga AKR, Mahir Yagcilar KDTP, Dardan Gashi AKR, dhe një përfaqësues i shoqërisë civile.

Përveç kësaj, janë rezervuar dy vende për LDK-në dhe LVV-në që e kanë bojkotuar këtë seancë, ndërsa Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani janë emrat që do të zëvendësojnë këta në pritje.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje e kishin bojkotuar seancën e jashtëzakonshme të 15 dhjetorit dhe njëherësh kanë kritikuar iniciativën nga deputetët të cilët mandatin e kanë fituar prej një tjetër subjekti politik.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti pas miratimit të rezolutës së PSD-së, ka deklaruar se pavarësisht votimit të rezolutës për dialogun me Serbinë askush nuk mund t’i shmanget Kushtetutës.

Hoti tha se ky dialog nuk mund të drejtohet nga partia e shtatë apo e tetë në Kuvend dhe nga ata që kanë mandate të huaja.

“Kosova nuk mund të përfaqësohet në këtë proces të rëndësishëm me kuazi ekipe dialoguese, nga partia e shtatë apo e tetë në Kuvend dhe nga ata që kanë mandate të huaja. LDK do ta mbrojë interesin e Kosovës. Nuk ka proces në Kosovë që mund të zhvillohet pa LDK-në, partinë me mbështetjen me të madhe në vend. Të mos mashtrohet askush”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje patën kritika të ashpra ndaj deputetëve të Partisë Socialdemokrate për mbështetjen e projektrezolutës për dialogun Kosovë-Serbi.

Shefi i GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në konferencën para se të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, tha se anëtarët e PSD (ish-anëtarët e VV-së), po i bëhen krah Qeverisë për një dialog jolegjitim.

Ai u kërkoi falje pjesëtarëve dhe votuesve të LVV-së që vuri në lista të deputetëve persona siç i quajti tani deputetët e PSD-së “njerëz që ndërrojnë mendimet si çorapet”.

“E vetmja mënyrë qysh me votu dialogun është që PSD të hyjë nën sqetull të Ramush Haradinajt”, shtoi Konjufca.

Shoqëria civile mirëpret unitet për dialogun Kosovë-Serbi

Përkundër kundërshtimeve të ashpra nga ana e dy subjekteve opozitare LDK-së dhe LVV-së, ekipi negociator është mirëpritur nga shoqëria civile.

Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) ku udhëheq projektin rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ka thënë për “Gazetën Jeta në Kosovë” se KDI-ja e sheh si një hap të parë miratimin e rezolutës së Kuvendit rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Krasniqi tha se kanë kërkuar në vazhdimësi që të ketë konsensus të partive politike për të ndërtuar qëndrimin shtetëror të Kosovës dhe ta ketë një platformë unike në këto bisedime.

“Të njëjtën kërkesë ne vazhdojmë ta dërgojmë te shefat e grupeve parlamentare të partive politike, përfshirë këtu edhe për ekipin negociator.

Ne vlerësojmë që përfaqësim të partive politike sa më gjerë duhet të jetë qoftë në qeverisjen e shtetit të Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, qoftë në përfaqësim i udhëheqësve në ekip negociues dhe ekipet të cilat do të vazhdojnë të mbështesin këtë proces”, tha Krasniqi.

Ajo pa u ndalur në vlerësime të ekipit negociator tha se është e rëndësishme që interesi i shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, të garantohet dhe të ketë një përgatitje sa më të mirë për ta bërë të qartë se çka kërkon Kosova dhe si kërkon ta arrijë në procesin e dialogut.

Ndërkaq, në Barometrin Kosovar të Sigurisë me titull “Edicioni Special mbi Politikën e Jashtme dhe Dialogun me Serbinë”, publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) të hënën, thuhet se çështja se kush duhet të udhëheqë Kosovën në dialogun me Serbinë, po e mundon opinionin publik në vend.

Sipas këtij raporti, fillimi i fazës politike të nivelit të lartë të dialogut, kërkoi që “burrat e fortë” të përfshiheshin në këtë proces.

“Duke qenë të përfaqësuar nga presidentët, si Kosova ashtu edhe Serbia kanë hyrë në fazën kritike të dialogut. Megjithatë, ndërkohë që  nuk ka shumë debate për monopolin politik dhe përkrahjen që gëzon presidenti serb Aleksandër Vuçiq, debatet e fundit në Kosovë e kanë vënë në pikëpyetje përkrahjen që gëzon Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në këtë proces”, thuhet në raport.

Sipas QKSS vetëm 3.2 për qind e të anketuarve kanë shfaqur dëshirën për një qasje të unifikuar të të gjithë krerëve/partive politike kundrejt Serbisë përmes Ekipit të Unitetit.

Profilet e ekipit negociator

Ekipi negociator i mandatuar nga Kuvendi i Kosovës, përmes rezolutës së PSD-së për dialogun përbëhet nga 12 anëtarë, shumica prej të cilëve janë nga koalicioni qeverisës.

Ndërkaq, në mesin e tyre janë edhe dy zyrtarë me aktakuza, e të cilët janë zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe zëvëndëskryeministri tjetër, njëherësh ministër i Diasporës, Dardan Gashi.

Fatmir Limaj akuzohet për rastin e njohur MTPT. Ai, në nëntor të vitit 2017 ishte shpallur i pafajshëm nga gjykata e shkallës së parë në të gjitha pikat e aktakuzës si ish ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit.

Por, gjashtë muaj më vonë në maj të vitit 2018, lënda ka shkuar në Gjykatën e Apelit dhe ende nuk  është vendos për rastin.

Kurse Dardan Gashi, akuzohet për gjuajtje me armë në odën e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj.

Bashkëdrejtues i delegacionit shtetëror nga koalicioni qeverisës është Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në shtator të këtij viti në Kuvendin e Kosovës ka prezantuar emrat e ekipit negociator për dialogun me Serbinë.

Në krye të këtij ekipi ishte propozuar zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, pozita e të cilit në këtë proces është rikonfimuar edhe në projekt-rezolutën e PSD-së.

Në negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës në Vjenë, Fatmir ishte anëtar i delegacionit të Kosovës, ku u publikua pakoja e Ahtisaarit që i parapriu Pavarësisë së Kosovës.

Limaj gjatë viteve 2008-2011 ishte Ministër i Transportit. Ai ishte pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës në pozitën e nënkryetarit, ndërsa në vitin 2017 bashkë me Jakup Krasniqin braktisën PDK-së, për të formuar më pas subjektin e tyre politik Nismën për Kosovën, të cilës së fundi i është ndryshuar emri në Nisma Socialdemokrate.

Limaj aktualisht është zëvendëskryeministër në Qeverinë Haradinaj dhe kryetar i Nismës Socialdemokrate.

Gazeta ka tentuar të marr përgjigje nga Limaj lidhur me përvojën e tij në procese negociuese por nuk ka marr qëndrim deri në publikimin e këtij artuikulli.

Përveç Fatmir Limajt, bashkëdrejtues i delegacionit shtetëror është edhe  Shpend Ahmeti nga PSD-ja, i cili përfaqëson opozitën.

Ahmeti aktualisht është kryetar i Partisë Socialdemokrate dhe kryetar i Komunës së Prishtinës.

Në vitin 2013 Shpend Ahmeti u zgjodh kryetar i Komunës së Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 Shpend Ahmeti u zgjodh deputet i LVV-së, por ai e la këtë detyrë për të rikandiduar si kryetar komune në Prishtinë.

Më pas në mars të vitit 2018, u largua nga LVV-ja për t’u bërë kryetar i PSD-së.

Sa i përket përvojës së Shpend Ahmetit dhe Visar Ymerit në negociata me Serbinë, PSD-ja thotë se të dy kanë pa asnjë dyshim përgatitjen profesionale dhe përvojën e duhur politike për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

“Formimi i tyre edukativ dhe arsimor, etika e tyre personale, njohuritë e tyre për proceset historike dhe për vendet e rajonit, si dhe përvoja e tyre profesionale e politike, janë treguesit më të besueshëm për kompetencat e tyre në përfaqësimin e tyre dialogues”, thuhet në përgjigjen e këtij subjekti për Gazetën Jeta në Kosovë.

Partia Socialdemokrate shton se ka jo vetëm vullnetin dhe seriozitetin politik, por edhe kapacitetet kolektive dhe individuale.

“Risitë progresive që ka sjell PSD për procesin e dialogut, me projekt-rezolutën e saj, janë dëshmia më e mirë e këtyre kapaciteteve”, thuhet në përgjigjen e PSD për GJnK.

Zëvendëskryeminsitri Enver Hoxhaj është politikani tjetër kosovar i cili është pjesë e ekipit negociator në dialogun me Serbinë.

Hoxhaj ka ushtruar detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme për dy mandate rresht, nga viti 2011-2014 dhe 2014-2017.

Në të kaluarën Hoxhaj ka shërbyer si ministër i Arsimit 2008-2011, si dhe ka shërbyer si deputet në katër legjislatura, ndërsa së fundi ishte kryetar i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme 2014-2016.

Hoxhaj ka qenë anëtar i delegacionit të Kosovës në bisedimet për statusin final të Kosovës 2005-2007, të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari.

Gazeta Jeta në Kosovë ka provuar të marr një qëndrim nga Hoxhaj lidhur me këtë çështje, por i njejti nuk ka kthyer pergjigje deri në publikimin e këtij artikulli me arsyetimin se është në Bruksel.

Avni Arifi, është njëri nga anëtarët e propozuar nga rezoluta e Partisë Socialdemokrate e Kosovës këtë të shtunë.

Arifi për 9 muaj në vitin 2018 ishte Shef i Delegacionit të Kosovës për Bisedime Teknike me Serbinë, nga shtatori i vitit 2017 deri në shtator të këtij vitit mbanë pozitën Shef i Stafit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Nga maji 2015 deri në qershor 2017 ishte Kryetar Dege i Aleancës Për Prishtinë.

Në qershor 2011 për një vit ka mbajtur pozitën Këshilltar i Kryetarit të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Nga viti 2008 deri në 2017 ishte këshilltar kryesor i Kryetarit të AAK-së.

Nga tetori 2007 deri në shkurt 2008 ishte Këshilltar i Lartë i Kryeministrit dhe Zëdhënës i Qeverisë.

Tetor 2006 deri në tetor 2007 ishte Këshilltar i Lartë i Kryeministrit dhe  Koordinator i Tranzicionit Qeveritar.

Gjatë dhjetorit 2004 deri në tetor 2006 ishte Këshilltar i Lartë i Kryeministrit dhe Koordinator i Standardeve.

Ai kishte mbajtur edhe disa pozita tjera në ndërmarrje.

Arifi, gjatë ditës së sotme është kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, për të marr një qëndrim lidhur me ekipin negociator dhe sa është i gatshëm ai të kontriboj si anëtar i këtij ekipi, mirëpo Arifi ka thënë se është në Bruksel dhe nuk ka mundur të përgjigjet.

Ndërkaq, në cilësinë e kryetarit të Aleanca Kosova e Re (AKR), pjesë e ekipit negociator do të jetë Behgjet Pacolli.

Pacolli aktualisht është zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës.

Behgjet Pacolli në vitin 2004 ka qenë themelues i Fondacionit për Zhvillimin Ekonomik të Evropës Juglindore (SEED) në Uashington (Fondacioni për promovimin dhe lobimin për pavarësinë e Kosovës)

Pacolli në vitin 2006 e ka themeluar subjektin politik AKR, ndërsa në vitet 2007-2011 ka qenë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitin 2011 Pacolli ishte zgjehdur president i Kosovës, ndërsa në vitet 2012-2014 ishte ëvendëskryeministr i parë i Republikës së Kosovës.

Mahir Yagcilar, kryetar i Partisë Demokratike Turke, që mbanë pozitën ministër i Administratës Publike, është një ndër emrat e ekipit negociator që është votuar nga Kuvendi i Kosovës më 15 dhjetor 2018.  Yagcilar në ekipin dialogues do të përfaqësojë Grupin 6+.

Yagcilar, për pesë mandate radhazi është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet nacionale gjatë viteve 2001-2014. Në ndërkohë, në 2006 ka qenë Anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Në vitin 2007 është emëruar Ministër në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, më pas në 2011 është emëruar Ministër i Administratës Publike për t’u ri-emëruar përsëri Ministër i Administratës Publike në Dhjetor 2014.

Ai edhe në këtë këtë mandat ka pozitën e Ministrit Të Administratës publike, kurse nga viti 2000 është Kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP).

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Yagcilar, nuk ka pasur përvojë në këtë drejtim.

Ai në një prononcim për Gazetën Jeta në Kosovë, tha se është i gatshëm të jetë pjesë e këtij ekipi duke cekur se prej vitit 2001 ka qenë pjesë e institucioneve të Kosovës.

“Sigurisht që jemi të gatshëm sepse për një kohë jemi në institucionet e Kosovës dhe besojmë që personalisht mundem ta përfaqësoj. Por kjo vjen edhe prej përkrhahjes së instititucioneve dhe në kët aspekt në qoftëse ekziston kërkesa prej tyre, jam i gatshëm të marr pjesë dhe të japim kontributin tonë”, tha Yagcilar.

Ai nuk ka dashur të jap vlerësim lidhur me ekipin negociator duke thënë se duhet të punojnë për interesin e shtetit të Republikës së Kosovës.

Pjesë e delegacionit shtetëror për bisedimet me Serbinë është edhe Dardan Gashi, i cili aktualisht mbanë pozitën e zëvendëskryeministrit të Kosovës si dhe ministërit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Nga viti 2005 deri më 2008, Gashi karrierën e tij politike e vazhdoi në zyrën e zëvendëskryeministrit/Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ai kryesoi grupin punues për decentralizim, dhe mori pjesë në të gjitha takimet gjatë Negociatave të Vjenës, si Këshilltar i Lartë.

Njëkohësisht kryesoi grupin punues të Kthimit brenda procesit të Dialogut të drejtpërdrejt me Beogradin.

Në qershor të vitit 2010, Gashi mori postin e zëvendësministrit të Integrimeve Evropiane dhe këtë pozitë e mbajti deri në janar 2011 kur emri i tij u propozua për ministër të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pas zgjedhjeve kombëtare të vitit 2010.

Në mars të vitit 2011 deri në 2014 Gashi ishte ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Gashi kishte punuar si gazetar dhe kohë më parë kishte edhe pozita tjera.

Gazeta Jeta në Kosovë, ka provuar të marr përgjigje gjatë ditës së sotme nga Gashi, por nuk kishte qasje në telefon.

Visar Ymeri nënkryetar i Partisë Sociaaldemokrate dhe aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, është njëri nga anëtarët rezervë për opozitën.

Ymeri ishte zgjedhur kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në mars të vitit 2015.

Prej vitit 2005 në dy legjislatura ishte zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Gjatë mandatit të parë ai ka drejtuar Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka qenë anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti e Industri. Në këtë mandat ai është shpallur edhe si deputeti më aktiv i Kuvendit.

Ymeri para se të bëhej deputet, ka punuar edhe si gazetar dhe redaktor lajmesh, si dhe si Zyrtar i Marrëdhënieve me Publikun në Trustin Pensional të Kosovës.

Dukagjin Gorani, është anëtari tjetër rezervë, në ekipin negociator për dialogun Kosovë-Serbi.

Gorani ka punuar në media prej vitit 1993, deri në vitin 2006 dhe ka qenë gazetar, redaktor dhe kryeredaktor në disa media të Kosovës (Koha Javore, Koha Ditore, KohaVision, Lajm, Express, etj).

Në vitin 2008, ai u emërua Këshilltar politik në Zyrën e Kryeministrit. Dukagjin Gorani është bashkëthemelues i OJQ-së “Qendra Liberale Demokrate” (2013) dhe angazhohet në hulumtime sociale, në fushat e analizës politike dhe ato identitare.

Periodikisht angazhohet si mësimdhënës në kolegjet “UNIVERSUM” dhe “ISPE” në Prishtinë. Prej qershorit të vitit 2016, ai ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkaq, nga viti 2017, Gorani i është bashkangjitur Partisë Socialdemokrate dhe është deputet i Kuvendit të Kosovës në këtë legjislaturë.