Shpend Ahmeti, Fatmir Limaj e Blerim Shala 'tinëz' në Bruksel

Kryesuesit e ekipit negociator të Kosovës, Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, janë nisur dje për në selinë e Bashkimit Europian në Bruksel.

Vizita e tyre, sipas burimeve të KALLXO.com nga qeveria e Kosovës, është bërë me ftesë të Zyrës së Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Frederica Mogherini.

Ahmeti e Limaj nuk kanë njoftuar paraprakisht se do të udhëtojnë për në Bruksel.

KALLXO.com merr vesh se Ahmeti e Limaj kanë shkuar në Bruksel për të diskutuar mbi platformën e dialogut e cila u miratua javën e shkuar në Kuvendin e Kosovës me 61 vota.

https://kallxo.com/votohet-platforma-per-dialogun/?

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me dy kryesuesit e ekipit, por ata nuk kanë qenë të qasshëm në telefon.

As anëtari i delegacionit, Visar Ymeri, nuk është përgjigjur.

Burime qeveritare bëjnë të ditur se pjesë e këtij ekipi në Bruksel është edhe Blerim Shala, këshilltar i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

KALLXO.com ka provuar ta kontaktojë Shalën por ai nuk është përgjigjur.

Momentalisht dialogu është i pezulluar nga pala serbe për shkak të taksës prej 100% që Qeveria e Kosovës ia ka vënë produkteve serbe dhe boshnjake.