Fatmir Limaj kritikon Shpend Ahmetin

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur para një grupi qytetarësh në Prishtinë, gjatë të cilit tubim në këtë parti u tha se u anëtarësuan qindra persona.

Ai ka thënë se kryeqyteti i Kosovës po vuan nga mosmarrja e vendimeve nga kryetari, Shpend Ahmeti, ndonëse nuk ia ka përmendur emrin.

“Ne jetojmë këtu në kryeqytet ku vuajmë nga ata që nuk guxojnë të marrin vendime, prandaj e kemi këtë pallat qysh e kemi sot. Ne jetojmë në kryeqytetin tonë, ku ende nuk ka pasur asnjë kryetar që ka ditur të bëj transformime thelbësore për ta ndryshuar. Dhe në vend që të merresh me punë konkrete për atë që je zgjedhur merresh me gjëra të kota dhe krejt e kthen drejtimin në imazh”, ka thënë Fatmir Limaj para qytetarëve prishtinas.

“Sot, një pjesë e politikanëve  janë duke i konkurruar artistet tona, janë duke i konkurruar teatrove tona, sepse tërë ditën bëjnë dy gjëra: teatrojnë/ aktrojnë, ose në imazh, a dul mirë spoti a dul mirë marketingu, por asnjëherë nuk na tregojnë për vendimin. Politika matet me vepra jo me fjalë, as me duele televizive”, ka thënë tutje Limaj.

“Ky projekt i nisur para disa viteve (Nisma), ka ardhur këtu ku është sot, që as në nivelin qendror as në nivelin lokal qeverisje pa Nismën Socialdemokrate nuk mund të ketë Kosova”, tha në fund të tubimit Limaj.