PDK 'shpreh keqardhje' për incidentin në oborrin e selisë së saj

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur keqardhje për incidentin e ndodhur sot në oborrin e selisë së saj.

Përmes një komunikate për media të lëshuar nga kjo parti thuhet që e gjitha kjo situatë ka qenë një keqkuptim.

“Pjesëtarët e sigurimit të PDK-së kanë reaguar në bazë të detyrës që kanë, pasi që paraprakisht nuk kanë qenë të informuar për një aktivitet të tillë, kështu duke krijuar keqkuptimin që turma e mbledhur para selisë kishte qëllime tjera e jo zhvillimin e një aktiviteti nga shoqëria civile”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre ky incident nuk përkon me vlerat që i ka partia sepse protesta është e drejtë e gjithsecilit.

“Partia Demokratike e Kosovës dëshiron të theksojë se ky është një rast i izoluar dhe nuk përkon më frymën dhe vlerat e saj. PDK beson dhe promovon të drejtën thelbësore të demokracisë, atë të protestës dhe reagimit qytetar”, thuhet tutje aty.

PDK-ja thotë se “do t’i marrë me seriozitet” shqetësimet e shoqërisë civile për projektligjin për financimin e partive politike.

“Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së i ka takuar javën e kaluar përfaqësuesit e shoqërisë civile të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me projektligjin për financimin e partive politike. Sigurisht që shqetësimet e tyre do të merren parasysh dhe do të trajtohen me seriozitetin më të lartë, nga ana e Kuvendit të Kosovës”, theksohet aty.

Gjatë ditës së sotme marshi i shoqërisë civile drejt gjashtë partive parlamentare për ta kundërshtuar Projektligjin për Financimin e partive politike, ka përfunduar me incident në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kjo pasi sigurimi i PDK-së nuk pranonte që aktivistët e shoqërisë civile të futën në oborrin e kësaj partie dhe të ngjisin mesazhet e marshit.