Mbledhja e KUvendit | Foto: KALLXO.com

PDK e kushtëzon komisionin hetimor për 'gylenistët' - LDK e tërheq

Partia Demokratike e Kosovës e ka ‘kushtëzuar’ votën pro komisionit hetimor për deportimin e 6 shtetasve turq, me votim të dy pikave tjera të rendit të ditës. Ky qëndrim u përkrah edhe nga AAK-ja, e pastaj LDK-ja e ka tërhequr nga votimi këtë propozim.

Kuvendi i Kosovës ka propozuar 11 emra për anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar për të parë përputhshmërinë kushtetuese e ligjore të procedurave të deportimit të 6 shtetasve turq nga Kosova muajin e kaluar.

Pas leximit të emrave të propozuar nga të gjitha grupet parlamentare, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi tha që deputetët e kësaj partie nuk do ta votojnë këtë propozim nëse nuk votohen dy pika tjera të rendit të ditës.

Memli Krasniqi ka kushtëzuar votën e grupit parlamentar të PDK-së, me votën për dy pika tjera të rendit të ditës- për votimin e propozimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e 6 anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe ratifikimin e traktatit ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë.

“PDK do të votojë për këtë komision, por vetëm pasi të kalojnë pika e I dhe II e rendit të ditës, të cilat u bojkotuan nga një pjesë e deputetëve të opozitës. Ne nuk do të marrim pjesë në votimin e kësaj pike, pa u votuar për pikat tjera”, tha Krasniqi.

Ndërsa edhe AAK-ja deklaroi se nuk do të marrë pjesë në votimin e komisionit hetimor parlamentar.

Ndërsa Avdullah Hoti tërhoqi nga votimi këtë propozim pas kushtëzimeve nga ana e PDK-së.

“Në cilësinë e propozuesit të kësaj pike ne e tërheqim prej votimit dhe do të fillojmë t’i mbledhim 40 nënshkrime që ta sjellim në Kryesi të Kuvendit”, tha tutje Hoti.

Ndërsa Krasniqi shtoi se ky nuk është kushtëzim, por kërkesë për deputetët me kry punën e tyre.

“Kjo s’ka të bëjë me kushtëzim, qysh po mundoheni me interpretu, kjo ka të bëjë më ftesën që deputetët me kry punën e tyre, sepse është e pakuptimtë me qenë këtu, e mos me ushtru detyrën e votimit. S’po themi me votu pro, por me ushtru detyrën”, tha Krasniqi.

Ndërsa Hoti e konfirmoi tërheqjen duke thënë se nuk mund të ndikojnë në vullnetin e deputetëve.

 

Emrat e propozuar nga grupet parlamentare për komisionin që do t’i ketë 11 anëtarë, janë këta:

Xhelal Sveçla, kryetar

Driton Selmanaj, nënkryetar

Anton Quni, anëtar

Hajdar Beqa, anëtar

Ganimete Musliu, anëtare

Sami Kurteshi, anëtar

Dardan Molliqaj, anëtar

Muharrem Nitaj, anëtar

Enver Hoti, anëtar

Ndërsa anëtarët tjerë kanë mbetur të propozohen.