Kuvendi i Kosovës të premten debaton për tri vitet e Qeverisë Kurti në pushtet

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen më 23 dhe 24 maj për të mbajtur dy seanca plenare.

Ditën e enjte më 23.05.2024 është paralajmëruar si seancë e rregullt që në rend të ditës do të ketë votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat nuk u votuan javën e kaluar dhe pika tjera të papërfunduara.

Ndërsa të premten më 24.05.2024 do të mbahet debati parlamentar i kërkuar nga AAK lidhur me tre vite të Qeverisë Kurti në pushtet.

Kështu ka njoftuar kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila.

“Shqyrtimi i projekt rezolutës për tre vjet qeverisje është bartur për ditën e premte. Ajo seancë fillon në ora 11:00.”- ka thënë Kusari Lila.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se është propozuar një mocion prej tetë faqeve që sipas tij përfshinë dështimet e Qeverisë Kurti.

“Të premten në do të jetë ballafaqimi i vërtetë mes Aleancës dhe opozitës me kryeministrin Albin Kurti. Për herë të parë pas një kohe të gjatë që Kurti nuk jep llogari në Kuvend. Është debat qe ne e kemi thirr për 3 vjet qeverisje, në fakt për 3 vjet dështim. Kemi propozu mocion 8 faqesh, ku tregojmë që kjo qeveri ka dështuar në trajtimin e çështjeve të brendshme në zhvillimin ekonomik, infrastrukturën rrugore, ka dështuar në ngritjen e pensioneve, në ngritjen e pagave në sektorin publik, në ligjin për sigurime shëndetësore” – ka thënë ai.

Për të shënuar tre vjetorin e ardhjes në pushtet, kryeministri i Kosovës Albin Kurti pati mbajtur konferencë për media duke përmendur rezultatet e Qeverisë për të cilat tha se janë krenar e ballëhapur.

Qeveria e Kosovës u votua më 22.03.2021 në Kuvendin e Kosovës, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim.