Deputeti Haki Abazi simbolikisht hap 'të pame për vdekjen klinike të Kuvendit dhe Qeverisë' - VIDEO

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi ka vendosur “njoftim mortor” mbi një karrige të mbuluar me peshqir para Kuvendit të Kosovës për të simbolizuar sipas tij “vdekjen” e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës.

“Pas ngufatjes tre vjeçare dha shpirt Kuvendi i Republikës së Kosovës! E pikëlluar: Demokracia e Kosovës” – shkruhet në letrën e njoftimit.

Ai hodhi disa akuza ndaj kryeministrit, Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e së cilës ishte edhe vetë në fillim të mandatit.

Abazi tha në Kuvend nuk ka më vendimmarrje e komisionet e seancat nuk kanë ndonjë ndikim. Sipas tij, Kuvendi është bërë një shfaqje e manipulimit, “një cirk ku palaçoja Kurti vjen sa herë që ka nevojë për me ia humb edhe më tepër seriozitetin.”

“Është bërë vend i tallavasë, këngëve e dhe përkujtimeve që me çdo respekt për secilin njeri të vdekur e të rënë për Kosovën, parlamenti i Kosovës nuk mund të jetë arenë e përkujtimeve të Kurtit për popullizëm e manipulim” – tha Abazi referuar disa seancave përkujtimore për dëshmorët që Kuvendi ka mbajtur së fundmi.

Ideja e zgjedhjeve të parakohshme, sipas tij është mashtrim total për të hequr vëmendjen nga fakti se “Kurti po e bën Zajednicën”.

“Kjo është shkelje mbi gjakun e Astrit Deharit dhe aktivisteve që kanë rënë me idealin që Kosova nuk duhet të pranojë Zajednicë brenda rendit Kushtetues” – tha ai.

Këto deklarata ai i tha pasi që sot (16.05.2024) ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz njoftoi se i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.

“Kurti i ka dhënë hektarët për Manastirin e Deçanit me shpresën që do ta fitojë Këshillin e Europës kur e pa që Dora Bakoyannis, heroina e Vetëvendosjes, nëpërmjet Francës dhe të tjerëve ju vendosi edhe një kusht tjetër të Asociacionit tani e dërgon draftin e Zajednicës në Kushtetuese” – tha Abazi.

Ai u pyet se a e afrojnë këto aksione me PSD-në dhe se a ka shqyrtuar mundësinë për t’ju bashkuar ndonjë partie tjetër.

Abazi u përgjigj se këto aksione nuk e afrojnë as me PSD-në e as me PDK-në dhe se sipas tij, nuk është e rëndëshishme se ku do të jetë ai në fazën tjetër, por ku është Kosova “përtej manipulimeve të Kurtit dhe VV-së.”

“As me PSD-në as me PDK-në. PSD-ja e ka kriju Lëvizjen Vetëvendosje, e ka mirëmbajtë me vite të tëra PDK po del qartazi që e ka krijuar LVV-në dhe LVV shkon aty ku është burimi i funksionit të saj” – tha ai.

Deputeti tha se nuk ka votë për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, por vetëm për ato gjëra që e avancojnë çështjen e Kosovës.

Kryeministri Kurti më 13.05.2024, ka zhvilluar një takim me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, me të cilin përveç çështjes së zgjedhjeve të reja, u tha se kanë diskutuar edhe për agjendën legjislative me theks të veçantë marrëveshjet ndërkombëtare.