Nuk kalon marrëveshja me OPEC-un, LDK voton kundër

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratojë marrëveshjen ndërkombëtare me OPEC-un në seancën e mbajtur më 16.05.2024.

Pro kësaj marrëveshje kanë votuar 76 deputetë, 10 vota kundër, 1 abstenim.

Nga opozita PDK dhe AAK kanë votuar pro, ndërsa LDK kundër.

Për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten së paku 80 vota të deputetëve.

LDK-ja pati thënë se do i mbështesë marrëveshjet, përveç marrëveshjes financiare me Fondin Zhvillimor të OPEC-ut.

Në rend të ditës së kësaj seance është votimi i 13 marrëveshjeve, ratifikimi i të cilave është bllokuar tash e disa muaj për shkak të pamundësisë të sigurimit të votave nga partia në pushtet.

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka deklaruar dje, më 15.05.2024 se grupi parlamentar i PDK-së ka ndërruar qëndrim dhe se do të votojë pro marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

Në një konferencë për media, Hamza e ka falënderuar grupin parlamentar dhe Kryesinë e PDK-së që e kanë përkrahur qëndrimin e tij, sepse siç ka thënë ai, votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare do të sjellë më shumë investime në Kosovë.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dy ditë më parë, më 13.05.2024, ka zhvilluar një takim me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, me të cilin përveç çështjes së zgjedhjeve të reja, u tha se kanë diskutuar edhe për agjendën legjislative me theks të veçantë marrëveshjet ndërkombëtare.