Ilustrim
Pas Debatit, Pajtim për Kredinë e Autobusëve
Shefat e grupeve të këshilltarëve komunalë në asamblenë e kryeqytetit u pajtuan për një tekst të përbashkët sipas të cilit Komuna e Prishtinës zotohet se do ta mbulojë borxhin e ndërmarrjes “Trafiku Urban”, nëse kjo kompani nuk mund të kthejë këstet e kredisë për autobusët.
Në tekstin e vendimit, Kuvendi Komunal i Prishtinës i rekomandoi Ministrisë së Financave që në bazë të Ligjit për Borxhet Publike t’i kërkojë qeverisë miratimin e kërkesës së NPL “Trafiku Urban” për garanci shtetërore për marrjen e kredisë nga BERZh-i.
Ky tekst u votua pastaj unanimisht me 42 vota të asamblistëve të pranishëm të kryeqytetit.
Për çështjen e autobusëve debati mes asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes “Vetëvendosje” zgjati rreth dy orë.
Sami Hamiti kërkoi që garancionin për këtë kredi ta japë Komuna e Prishtinës.
“Këtu kemi të bëjmë me një borxh për 10 vjet. Recidiv është e përcaktume që komuna për funksionim normal esencial me investime kapitale mund të marrë kredi dhe të japë garancion po njëkohësisht ndërmarrja ‘Trafiku Urban’ është 100 për qind komunale,” tha Hamiti.
Kryetari Shpend Ahmeti, tha se ky nuk është borxh komunal.
“Mirë është me qit në rend dite por kjo nuk është borxh komunal, mos ta përziejmë sepse bëjmë precedent të rrezikshëm. Borxhi komunal është tjetër. Me pasë kanë borxh komunal vjen BERZh-i na vlerëson neve financat nuk kanë ardh neve me na vlerësu financat. Ata kanë shku i kanë vlerësu Trafikut Urban financat dhe modelin financiar”, tha Ahmeti.
Kurse, Dardan Sejdiu nënkryetar i Komunës dha propozim tjetër.
“Rekomandim i imi është që ne sot të vendosim në diskutim dhe t’i rekomandojmë Ministrisë së Financave që në pajtim me nenin 18 të Ligjit për Borxhet Publike të miratohet kërkesa e Trafikut Urban për garanci shtetërore për marrjen e kredisë nga BERZh-i. Komuna e Prishtinës, zotohet ta marrë përsipër kthimin e borxhit nëse Ndërmarrja Publike ‘Trafiku Urban’ dështon t’ia kthejë borxhin BERZh-it”, tha Sejdiu.
Ndërsa Feti Mehdiu, nga Partia e Drejtësisë kërkoi që asamblistëve propozimet t’u sillen me shkrim.
“Koncepti dallon nga propozimi që e dha zoti Sami Hamiti dhe zoti Dardan Sejdiu. Ne mendojmë dhe propozojmë që këto dy propozime t’i shkruani menjëherë dhe të na sillni këtu… kur t’i shoh të shkruara do të jem më i pastër njërit t’i them viza jote do të shkojë, tjetri do të presë,” tha ai.
Shpend Ahmeti kërkoi në këtë mbledhje të hyjë në rend dite edhe kërkesa për shndërrimin e Pallatit të Rinisë në ndërmarrje publike komunale.
Kjo pikë u votua gjithashtu nga të gjithë asamblistët në sallë.