Thirret seancë e jashtëzakonshme për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal në kryeqytet

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme për të enjten më 14.03.2024, për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal të kryeqytetit.

Më 27.02.2024,  asamblistët e partive opozitare në kryeqytet, PDK, LVV, AAK, AKR, përmes një seance të jashtëzakonshme kanë shkarkuar kryesuesin e Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajqinovci.

Kryetari Përparim Rama këtë veprim të opozitës e konsideroi puro politikë e rrëmbim të pushtetit në kryeqytet.

Shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla në një deklarim për KALLXO.com bëri të ditur se nuk kanë ndonjë emër nga partia e tyre për këtë pozitë, por që u kanë bërë thirrje gjithë asamblsitëve të kontribojnë në këtë proces për zhbllokim të Kuvendit.

“Ne ju kemi bërë thirrje të gjithë asamblistëve, nga të gjitha subjektet politike, opozitë dhe pozitë, të vijnë në mbledhje dhe ta japin kontributin e tyre të domosdoshëm për zhbllokimin e kuvendit komunal, në një kohë kur janë bërë tre muaj pa mbajtur asnjë mbledhje të rregullt”- tha Sveçla. 

“Lëvizja Vetëvendosje nuk ka emër për Kryesuesin e Kuvendit, por do të përkrah kandidatin i cili arrinë të sigurojë përkrahjen e minimalisht 26 asamblistëve, përfshirë edhe votat tona”- shtoi tutje ai.

Sipas tij, ky kandidat nuk duhet të jetë nga radhët e LDK-së apo PDK-së. 

Kallxo.com ka tentuar të marr deklarim edhe nga shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri nëse do marrin pjesë në senacë, por nuk është dhënë ndonjë përgjigje, derisa në një postim më 27.02.2024, ai kishte bërë të ditur se kjo parti nuk e synon pozitën e kryesuesit.

“PDK nuk synon pozitën e Kryesuesit. PDK nuk e dëshiron bllokimin e qytetit, përkundrazi mezi po pret të rikthehet normaliteti e të bëjmë opozitën. Prandaj, gjeni zgjidhjen e krijoni shumicën e re!”- kishte shkruar ai në rrjetin social Facebook.

Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka 50 anëtarë, derisa për nisjen e kësaj mbledhje nevojitet kuorum prej së paku 26 asamblistëve të pranishëm.

Kandidati i propozuar duhet t’i ketë 26 vota Pro. Nëse nuk arrin t’ i siguroj këto vota në rrethin e parë, përsëritet votimi. Nëse as në rrethin e dytë nuk i ka 26 apo më shumë vota, atëherë në rrethin e tretë zgjedhet me shumicën e thjeshtë të atyre që marrin pjesë në votim.

Pëllumb Bajqinovci u zgjodh kryesues i Kuvendit Komunal më 21.07.2023 pas shkarkimit të Fehmi Kupinës më 27.06.2023 pas propozimit të LDK-së, shkarkim të cilin opozita e ka quajtur të paligjshëm dhe që nuk janë respektuar opinionet ligjore të Ministrisë së Pushtetit Lokal.