Fehmi Kupina, Foto/Facebook

Kupina rikthehet në pozitën e kryesuesit të Kuvendit Komunal në Prishtinë

Me 22 vota për, kandidati i pavarur Fehmi Kupina është zgjedhur në pozitën e kryesuesit të Kuvendit Komunal në kryeqytet përmes një seance të jashtëzakonshme e thirrur nga partia opozitare LVV.

“Ju falënderoj për vlerësimin e dhënë, më zgjodhet dy herë në këtë pozitë brenda të njëjtit mandat. Për mua nuk ka nder më të madh sesa vlerësimi juaj si qytetarë të Prishtinës. Kur interesi i Prishtinës bëhet interes i përbashkët dhe lihen anash interesat politike, përfitojmë secili. Zotohem se do vazhdoj të punoj për të mirën e përgjithme”- u shpreh Kupina.

Fehmi Kupina u shkarkua nga pozita e kryesuesit më 27.06.2023 pas propozimit të LDK-së, Kupina paraprakisht kishte bërë të ditur largimin e tij nga LDK duke kaluar si asamblist i pavarur.

Kjo seancë e cila u përkrah edhe nga partitë tjera PDK, AKR nisi me vonesë pasi Shërbimi i Kuvendit Komunal nuk erdhi në kohë për nisje të procedurave, derisa pati edhe probleme me mikrofona. Për këtë sittuatë, opozita tha se Shërbimi i Kuvendit po përkrah kryetarin, Përparim Rama.

Fehmi Kupina u propozua për këtë pozitë nga asamblisti i AKR-së, Gëzim Mehmeti, derisa LVV dhe PDK nuk propozuan askënd për këtë pozitë, por përkrahën kandidaturën e Kupinës.

Kupina u zgjodh në këtë pozitë në rundin e tretë të votimit të fshehtë, sipas ligjit për vetëqeverisje lokale. Sipas ligjit, kandidati i propozuar duhet t’i ketë 26 vota Pro. Nëse nuk arrin t’ i siguroj këto vota në rrethin e parë, përsëritet votimi. Nëse as në rrethin e dytë nuk i ka 26 apo më shumë vota, atëherë në rrethin e tretë zgjedhet me shumicën e thjeshtë të atyre që marrin pjesë në votim. Në seancë ishin të pranishëm 30 asamblistë.

Pëllumb Bajqinovci ishte zgjedhur kryesues i Kuvendit Komunal më 21.07.2023, por më 27.02.2024, asamblistët e partive opozitare në kryeqytet, PDK, LVV, AAK, AKR përmes një seance të jashtëzakonshme e shkarkuan nga kjo pozitë.

Gjatë këtij viti, asambleja e Komunës së Prishtinës nuk ka mbajtur ende asnjë seancë të rregullt si shkak i prishjes së koalicionit qeverisës me PDK-në dhe vonesave në krijimin e një shumice të re.

Opozita në seancën për shkarkim të ish kryesuesit, Pëllumb Bajqinovci patën deklaruar se vepronin kështu për të zhbllokuar situatën në Kuvendin Komunal.