Bukë - Foto: KALLXO.com

Paralajmërohet rritja e çmimit të bukës edhe në Mitrovicë

Drejtuar nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, sot është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve të kësaj komune, në të cilën janë diskutuar dhe shqyrtuar çështje të rëndësishme nga fushëveprimi i Bordit dhe drejtorive komunale.

Sipas një komunikatë për medie në këtë mbledhje drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me furrtarët e kësaj komune, ku ka thënë se pesha e bukës është në nivel, “mirëpo furrtarët po kanë probleme me furnizim me miell prandaj ekziston mundësia që edhe në qytetin tonë të shtrenjtohet çmimi i bukës”.

Po ashtu ai njoftoi së janë duke inspektuar të gjitha marketet për të evidentuar produktet të cilat mund të kenë mbishkrimin “Kosovo i Metohija” ,“Kosovë/o UNMIK” apo “Kosovo/a Rezoluta 1244”, apo çdo emërtim tjetër i cili është në kundërshtim me emërtimin zyrtar të Republikës së Kosovës duke larguar ato menjëherë nga tregu.

Kurse, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, i njoftoi anëtarët e bordit se me rastin e festës së 28 nëntorit është bërë stolisja e qytetit me flamuj kombëtar ndërsa ka paralajmëruar një agjendë të pasur pikërisht kushtuar ditës së flamurit kombëtar.

Foto: Komuna e Mitrovicës

Drejtori Peci, tha se të mërkurën do të mbahen homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në Shipol për të vazhduar tek shtatoret e dëshmorëve Avni Shabani, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Fatime Hetemi, Artim Jashari, Safet Boletini, Shemsi Ahmeti, Mehë Uka, heroit kombëtar Isa Boletini, pastaj do të ketë vizitë edhe në kullën e Isa Boletinit dhe në mbrëmje në sheshin e qytetit do të ketë edhe një koncert festiv ku do të përformojnë këngëtarët tanë më të njohur.

Kurse, drejtori i Arsimit, Iset Beka, njoftoi ekzekutivin për programin nacional me nxënës dhe të rinj i cili tashmë do të organizohet nga Ministria për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, ku të gjitha garat e volejbollit, gjuhës dhe letërsisë, artit, të matematikës, do të organizohen në nivel shkollor, komunal, republikan si dhe ndërshtetëror.