Mesazhi Kundër Dhunës Dominon Fjalimin e Presidentes në Parakalimin e FSK-së

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka ftuar qytetarët e Kosovës ta festojnë Ditën e Pavarësisë, ndërsa ka bërë thirrje për shmangie nga dhuna.

Në fjalimin me mesazhe në formë alarmi, të mbajtur para trupave të FSK-së të radhitur në pritje të parakalimit të pavarësisë, Presidentja u shpreh se është koha që të tejkalohen dallimet dhe njerëzit të fokusohen për të ardhmen e vendit.

“Të gjithë e ndjejmë të ardhmen të ndryshme por jo me dhunë dhe forcë, jo me fuqinë e grushtit që sjell rrënim, e asesi me testimin e partneritetit tonë me komunitetin ndërkombëtar”, tha Presidentja.

“Është koha për t’i harruar mëritë, për t’i tejkaluar dallimet dhe tani është koha për ta ndërtuar të ardhmen që e duam”, u shpreh ajo.

Sipas saj, 17 Shkurti është dita e Kosovës dhe dita kur kosovarët kremtojnë lirinë.

“Kosova është krenaria jonë, është amaneti i gjeneratave të tëra që kanë sakrifikuar për këtë ditë të sotme të nisur me dekada të tëra. Kosova është një realitet i pakthyeshëm. Kosova është vlera e shtuar e stabilitetit dhe sigurisë jo vetëm në rajon, garantuese e paqes për të gjithë”, tha ajo.

“Sot është një ditë feste për të gjithë qytetarët e Kosovës, festë e shtetit në secilin cep të tij, e atyre që e ndjejnë si shtet të tyre kudoqofshin”, u shpreh Jahjaga.

parakalimi2

Ndërsa kryeministri Isa Mustafa tha se rruga e Kosovës deri te pavarësia “është kurorëzim i aspiratës për liri, demokraci e pavarësi”.

“Pavarësia e Kosovës tashmë është realitet i pranuar nga 111 vende, jemi krenarë që Kosova është shtet i gjithë qytetarëve të saj, është sukses i përbashkët i aleatëve të tyre. Edhe në këtë përvjetor Kosova mori mesazhe të qarta nga SHBA që vlerësojnë përpjekjet për një shtet të zhvilluar në të gjitha fushat e jetës”, tha Mustafa.

Sipas tij, sot Republika e Kosovës i ka përvetësuar vlerat e lirisë dhe demokracisë dhe ato vlera “nuk mund t’i rrënojë askush”.

“Kjo qeveri e ka mandatin e qartë, e ka legjitimitetin dhe legalitetin t’u shërbejë qytetarëve dhe asnjëherë nuk do të devijojë nga ky mision. Nuk ka asgjë më të çmueshme se sa të qenit të lirë dhe të pavarur në tokën tonë”, tha Mustafa.

parakalimi4

Parada e Pavarësisë

10:07

Kur Kosova po mbush 8 vjet, qytetarët janë ftuar të festojnë por edhe të protestojnë në orë të ndryshme, por në të njëjtin vend.

Në orën 10:00 është caktuar të bëhet parakalimi i FSK-së dhe njësiteve të Policisë së Kosovës. Në këtë ngjarje pritet të ketë edhe aktivitete tjera akrobatike të kadetëve të përcjellë nga bendi muzikor i FSK-së.

Ndërsa në orën 14:00 partitë opozitare Vetëvendosje, AAK dhe NISMA për Kosovën ka ftuar qytetarët të protestojnë.

Policia e Kosovës në komunikatat e lëshuara ka thënë se janë të gatshëm të mbajnë rendin dhe qetësinë e qytetarëve.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha, tha për KALLXO.com se janë të mjaftueshëm zyrtarë policorë që do të jenë në mbrojtje të qytetarëve.

“Nuk kam një numër të caktuar se sa policë do të jenë të angazhuar për ditën e sotme, por që kemi  mjaftueshëm që të mbajmë rendin dhe qetësinë e qytetarëve të vendit”, tha Hoxha për KALLXO.com.

Gjatë ditës pritet edhe që të bëhet nisja e autobusëve prej vendeve të ndryshme të Kosovës që t’u bashkohen festës- protestës së sotme.