Gazetari Zijadin Gashi rrëfen për emocionet e raportimit për Pavarësinë

Emocion i veçantë ishte për gjithësecilin momenti kur Kosova u shpall e pavarur më 17.02.2008.

Megjithatë ishin gazetarët ata të cilët nuk mund të ia lejonin vetes të kaploheshin nga emocionet por raportimin duhej ta bënin në mënyrë profesionale dhe emocionet mos t’i shfaqin.

Gazetari Zijadin Gashi që atë kohë raportonte për Radion Evropa e Lirë dhe të përditshmen Zëri, thotë se ishte gjakftohtësia ajo që duhej të mbretëronte në ato momente, sidomos kur raportimi si në rastin e tij bëhej për një radio amerikane në gjuhën shqipe.

Ai tregon se që nga ora 07:00 e mëngjesit së të dielës së datës 17.02.2008 filluan përgatitjet në redaksi për të kaluar më pas në terren për të raportuar.

“Orët e para kaluan me përgatitje në objektin e Kuvendit të Kosovës që para orës 16:00 të vinte vendimi i shumëpritur e Radio Europa e Lirë kishte lajmet në ora 16:00 dhe ishte mjaft nder për ne që ndër të parët mund të përfshiheshim në atë seancë dhe të mund të raportonim për atë ditë aq të rëndësishme”- tregoi Gashi në një intervistë për KALLXO.com.

Gashi tregon se aq ishte numri i madh i mediave ndërkombëtare sa që janë munduar t’i japin përparësi informimit sa më të drejtë duke ju ndihmuar edhe atyre në mënyrë që mos të shpërndahen informata të pavërteta nga fushata serbe që gazetarët të merrnin shtrembër zhvillimet në Prishtinë.

“Momenti i shpalljes ishte një moment ashtu edhe siç dëgjohet zëri i zotëri Hashim Thaçit kur e kaplojnë emocionet. Besoj se të gjithë ne kishim një emocion të veçantë, kishim një dridhje buzësh të gjithë por në atë moment duhet të përbihesh si gazetar dhe të vazhdosh punën”- rrëfen Gashi për momentin më të rëndësishëm të shtetit më të ri në Evropë.

Derisa thotë se festën dhe gëzimin e mbante për shoqërinë dhe familjen, Gashi tregon se raportimi në asnjë moment nuk ngriti nacionalizëm atë ditë por se gjithçka u bazua në faktet historike dhe në fjalimet e liderëve të Kosovës për të drejtën e shumicës që të kenë një shtet të tyre të pavarur.

“Besoj se të gjithë ne kishim një emocion të veçantë, kishim një dridhje buzësh të gjithë por në atë moment duhet të përbihesh si gazetar dhe të vazhdosh punën. Nuk mund ta fshehi se në atë moment ishte diçka që vetëm lotët e gëzimit do të mund ta shpërfaqnin atë që ne e kishim përjetuar pasi që të gjithë e dinim përfundimin, ai po bëhej realitet”, tregoi tutje Gashi.

Hoteli Grand në Prishtinë, ndërtim ky në kohën e ish-Jugosllavisë u shndërrua në vendin nga ku po raportohej shkëputja e pjesës së fundit autonome të Federatës e cila ishte shpërbërë tashmë.

Mbi 1000 gazetarë ishin akredituar në Qendrën Mediale të asaj kohe dhe nga aty po raportonin për të gjithë botën lajmin se Kosova shpalli pavarësinë.

Republika e Kosovës sot, 17.02.2024, shënon 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Për nderë të kësaj dite, institucionet qendrore dhe lokale kanë paraparë një varg aktivitetesh.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar shefes së shtetit kosovar, Vjosa Osmani, një telegram urimi me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.

Në këtë letër, Biden ka shkruar se SHBA vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quan, “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë”.

Presidenti i Shteteve e Bashkuara ka inkurajuar lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.

“Në vitin e ardhshëm, mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e shtetit të së drejtës. Unë gjithashtu pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe përpjekjet e përbashkëta për të avancuar reformat e nevojshme për të arritur përfundimisht objektivin e Kosovës, integrimin në BE. Dhe së bashku, ne do të vazhdojmë të ngrihemi për lirinë – duke përfshirë qëndrimin së bashku me Ukrainën përballë agresionit brutal të Rusisë”- thuhet në letrën e plotë të Joe Biden të cilën Presidenca kosovare e ka ndarë me mediat më 16.02.2024.