Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. FOTO: Bajram Begaj/Facebook.

Presidenti Begaj uron 16-vjetorin e Pavarësisë: Shqipëria krah Kosovës përballë çdo kërcënimi

Në prag të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar telegram urimi nga homologu i saj shqiptar, Bajram Begaj.

Në telegramin e tij, Begaj ka thënë se Dita e Pavarësisë së Kosovës është një ngjarje e shënuar për gjithë kombin shqiptar.

Begaj ka thënë se Kosova sot është një realitet i pakundërshtueshëm dhe shembull për sigurimin e paqes në rajon, dhe se Shqipëria do të jetë gjithmonë krah Kosovës në çdo hap, përballë çdo kërcënimi.

“Shqipëria do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës, në çdo hap të saj, për përballimin e çdo kërcënimi apo sfide, si dhe për anëtarësime të reja në organizata ndërkombëtare e rajonale”- thuhet në urimin e Begajt për Ditën e Pavarësisë, i cili është publikuar në faqen e Presidencës së Kosovës më 16.02.2024.

Begaj ka vlerësuar zgjerimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës, sidomos në kuadër të bashkëpunimeve të natyrës strategjike.

Presidentja Osmani ka pranuar urim edhe nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, presidenti i Francës, Emmanuel Macron , presidenti italian Sergio Mattarella, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier si dhe liderë të tjerë.

Kosova është shpallur e pavarur më 17.02.2008, në 15:39h në Kuvendin e Kosovës. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, atëherë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi lexoi deklaratën e shpalljes së pavarësisë.