Osmani nga Mitrovica: Nuk na ndal asgjë veç vdekjes

Kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani ka mbajtur takim me bashkëvendësit e saj sot në Mitrovicë.

Nga qyteti i saj i lindjes Osmani ka dhënë një porosi. Sipas saj Republika e Kosovës është e gjithë qytetarëve, duke shtuar se ky shtet nuk është i asnjë politikani.

“Kam ardhur t’ju them një porosi këtu në Mitrovicë, e gjithë andej ky vend, ky shtet, kjo Republikë është e qytetarëve dhe pikë. Ky shtet nuk është i asnjë politikani, i asnjë partie politike, e as i Vjosa Osmanit. Nuk është as i LDK-së ky vend, pra ky shtet, Mitrovica dhe Republika jonë Kosova është e juaja vetëm e juaja”, tha Osmani.

Duke ju drejtuar masës në këtë takim, Osmani ka thënë se asgjë veç vdekjes nuk mund t`i ndal që shtetin e kapur sipas saj nga partitë në pushtet t’ia kthej qytetarëve.

“Të kemi një detyrë kryesore, një e kemi që shtetin e kapur nga partitë në pushtet t’ua kthejmë juve përfundimisht dhe në këtë detyrë të dashur bashkëvendës të jeni të sigurt dhe mbajeni në mend nuk ka askush dhe asgjë që na ndal pos vdekjes”, theksoi Osmani.

Ndër të tjera kandidatja e LDK-së për kryeministre ka shtuar se ka besimin e plotë duke premtuar se nuk do t`i lë kurrë vetëm qytetarët.

“Unë kam besim të plotë në ju, sepse përndryshe kurrë nuk do t`i hyja kësaj rruge. Unë Vjosa Osmani bija juaj nuk do t’ju lë asnjëherë vetëm”, tha në fund të fjalimit të saj Osmani.

Kurse Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së theksoi se kjo parti duke përkrahur Osmanin, është bërë me burrërore dhe se Mitrovica nuk ka tjetër emër për kryeministre përveç Osmanit.

“Rreshtimi i të gjithë neve pas një gruaje e ka bërë LDK-në më burrërore se në terma gjinorë. Të tjerët nuk e kuptuan sepse nuk mund ta kuptojnë, nuk mund ta imagjinojnë një Vjosë përpara. Kosova i ka tre, katër, pesë emra mund më pak apo më shumë, nuk ka rëndësi për kryeministër, por Mitrovica e ka vetëm një e ai emër është Vjosa Osmani”, potencoi Haziri.

Në sallën e mbushur përplot qytetarë të pranishëm ishin edhe struktura të larta të kësaj partie si Ismet Beqiri, Arban Abrashi, Armend Zemaj, etj, kurse Haziri sqaroi se për shkaqe shëndetësore lideri i kësaj partie Isa Mustafa nuk ka mundur të ishte i pranishëm.