Komuna e Prishtines

Opozita: Vetëvendosje po i Bllokon Seancat e Asamblesë Komunale

Çështja e pagesave të anëtarëve të Komisionit për emërimin e rrugëve e shesheve të Prishtinës, dhe caktimi i lokacionit për kishën dhe varrezat protestante ishin dy nga 7 pikat  të cilat u miratuan sot në mbledhjen e parë të Kuvendit të Komunës së Prishtinës.

Miratimi i tyre u bë pa praninë e këshilltarëve komunalë të Vetëvendosjes dhe ekzekutivit të komunës.

Në seancë nuk ishte i pranishëm as kryetari i komunës, Shpend Ahmeti.

Shefat e grupeve të këshilltarëve kritikuan orarin e mbajtjes së kësaj mbledhje si dhe ndryshimin e pikave në agjendë të cilat kanë qenë të përcaktuara më parë.

Sami Hamiti, shef i grupit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha që orari i kësaj mbledhje i është përshtatur agjendës së Shpend Ahmetit.

“Caktimi i orarit dhe kohës është ndërhyrje në punën e kryesuesve të kuvendit, sepse ka ndërhy dikush nga ekzekutivi i kuvendit, dhe i ka hekë edhe pikat që jemi marrë vesh edhe e kanë ndërruar orarin”, tha Hamiti.

Lirak Çelaj, shef i grupit të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se mungesa e ekzekutivit tregoi më së miri se kush po ndërhyn dhe kush po e pengon punën e asamblesë.

“Ne as nuk jemi konsultuar për këtë  orë e as për këtë datë sepse ndoshta edhe un do të isha kundër, mirëpo kemi pranuar vullnetin e shumicës në procedurat që kanë qenë”, tha ai.

Ai gjithashtu komentoi edhe ndryshimin e pikave në agjendë duke thënë që Vetëvendosje po mundohet të instrumentalizojë kryeqytetin.

“Çështje shumë shqetësuese për mua është tërheqja në mënyrë arbitrare e pikave pas marrëveshjes që kemi pasur në Komitet për Politikë dhe Financa, dhe krejt ky proces dëshmon që subjekti i Vetëvendosjes në krye me Shpend Ahmetin po mundohet që ta instrumentalizojë kryeqytetin në shërbim të një subjekti politik”, tha Çelaj.

Flamur Shala, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se qytetarët e Prishtinës shprehin shqetësimin e tyre ndaj, siç e quajti ai, injorimit, bojkotit dhe mos gatishmërisë së Shpend Ahmetit që po i bënë shënimit te 8 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

“Komuna e Prishtinës për të dytën herë me radhë refuzon të organizoje çfarëdo aktiviteti për nder të festës më të madhe të Republikës së Kosovës dhe se arsyetimet e kryetarit të komunës se Prishtinës se festa e pavarësisë është festë në të cilën duhet të merren qeveria e Kosovës janë të papranueshme”, tha Shala.