Ndërtesa qeveritare në Shkup - Foto: BIRN

Nuk Ka Rritje të Moshës së Pensionimit në Maqedoni

Nuk do të ndryshohet kufiri i moshës së pensionimit në Maqedoni. Këtë e paralajmëroi ministri i Financave, Dragan Tevdovski, pasi dje Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e tij për gjendjen ekonomike në Maqedoni, propozoi të bëhen reforma në sistemin pensional dhe të rritet mosha e daljes në pension, edhe atë në nivelin e mesatares së vendeve anëtare të BE-së, që është mosha 67 vjeç.

“Absolutisht nuk mendojmë ta rrisim moshën e daljes në pension. E patë se si paga minimale kaloi, ndërsa do të bëjmë çmos për ta rritur efikasitetin në shpenzimet publike. Ky është një nga rekomandimet kryesore të FMN-së”, tha Dragan Tevdovski, ministër i Financave.

Vërejtja tjetër e FMN-së ka të bëjë me shkallën e subvencionimit të punësimeve, për të cilën, nga ky institucion monetar kërkojnë të ulet.

“Hapësira fiskale në vitet e fundit, në masë të madhe u shfrytëzua për rritjen e subvencioneve dhe pensioneve.

Duhet të ulen subvencionet e patargetuara dhe njëherazi duhet të reduktohet deficiti i lartë në sistemin pensional përmes rritjes së moshës ligjore për të dalë në pension në mesataren e vendeve të BE-së”, nga FMN.

Sipas FMN-së, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, është ulur edhe pagesa e TVSh-së, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Por ministri i Financave u arsyetua se në korrik dhe gusht, gjërat janë përmirësuar.

“Ajo që është projektuar si deficit buxhetor, do të realizohet edhe përkundër realizimit të të ardhurave dhe të shpenzimvve”, shtoi Tevdovski.

Nga FMN presin që të ketë rritje edhe të deficitit fiskal, gjë e cila do të ndikojë në rritjen e borxhit publik të Maqedonisë.

Sipas FMN-së, kjo do të ishte si rezultat i mospagesës së detyrimeve, subvencionimeve për rritje të pagave dhe mbështetjes shtesë për mbrojtje sociale.

Për këtë arsye, nga FMN propozojnë që autoritetet të vendosin shkallë më të lartë tatimore për lëndën djegëse, e cila është ndër më të ulëta në rajon.

Gjithashtu propozohet të rritet edhe tatimi i pronës. Ndryshe, FMN për këtë vit prognozon rritje të ekonomisë së Maqedonisë prej 1.9%. /21Media