Robot handshake human background, futuristic digital age

FMN: Inteligjenca Artificiale do t’i prekë 40% të vendeve të punës dhe do t’a përkeqësojë pabarazinë

Inteligjenca artificiale – IA, do t’i prekë gati 40% të të gjitha vendeve të punës, sipas një analize të re nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva thotë se “në shumicën e skenarëve, IA ka të ngjarë ta përkeqësojë pabarazinë e përgjithshme”- duke shtuar se politikëbërësit duhet të adresojnë “prirjen shqetësuese” për të “parandaluar teknologjinë nga nxitja e mëtejshme e tensioneve sociale”.

Përhapja e IA ka vënë në qendër të vëmendjes përfitimet dhe rreziqet e saj.

FMN tha se IA ka të ngjarë të ndikojë në një përqindje më të madhe të vendeve të punës – në rreth 60% – në ekonomitë e përparuara. Në gjysmën e këtyre rasteve, punëtorët mund të presin të përfitojnë nga integrimi i IA, i cili do ta rrisë produktivitetin e tyre.

Në raste të tjera, IA do ta ketë aftësinë për të kryer detyra kyçe që aktualisht ekzekutohen nga njerëzit. Kjo mund ta ulë kërkesën për punë, duke ndikuar në pagat dhe madje edhe duke i zhdukur vendet e punës.

Georgieva thotë tutje se “shumë nga këto vende nuk kanë infrastrukturë ose fuqi punëtore të aftë për të shfrytëzuar përfitimet e IA, duke e rritur rrezikun që me kalimin e kohës teknologjia mund ta përkeqësojë pabarazinë midis kombeve”.

Në përgjithësi, punëtorët me të ardhura më të larta dhe ata më të rinj mund të shohin një rritje disproporcionale në pagat e tyre pas adoptimit të IA.

Punëtorët me të ardhura më të ulëta dhe ata më të vjetër mund të mbeten prapa, beson FMN.

“Vendet duhet të krijojnë rrjete gjithëpërfshirëse të sigurisë sociale dhe të ofrojnë programe rikualifikimi për punëtorët e cenueshëm”- thotë Georgieva. “Duke bërë këtë, ne mund ta bëjmë tranzicionin e IA më gjithëpërfshirës, duke mbrojtur mjetet e jetesës dhe duke frenuar pabarazinë”.

Ndërkohë, FMN-ja projekton se teknologjia do t’i prekë vetëm 26% të vendeve të punës në vendet me të ardhura të ulëta.

Analiza e FMN-së vjen ndërkohë që liderët globalë të biznesit dhe politikës do të mblidhen në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.

IA është një temë diskutimi, pas rritjes së popullaritetit të aplikacioneve, të tillë si ChatGPT.

Teknologjia po përballet me rregullim të shtuar në mbarë botën. Muajin e kaluar, zyrtarët e Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje të përkohshme mbi ligjet e para gjithëpërfshirëse në botë për të rregulluar përdorimin e IA.

Parlamenti Evropian do të votojë mbi propozimet e Aktit të IA në fillim të këtij viti, por çdo legjislacion nuk do të hyjë në fuqi të paktën deri në vitin 2025.

SHBA, Britania e Madhe dhe Kina nuk i kanë publikuar ende udhëzimet e tyre të IA./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala