Emmanuel Macron - Foto: REL/Reuters

Presidenti Macron i mbijetoi votave të mosbesimit

Qeveria franceze u ka mbijetuar dy votave të mosbesimit, dhe Emmanuel Macron vazhdon të përballet me protesta dhe greva për vendimin e tij për ta përdorur pushtetin ekzekutiv për rritjen e moshës së pensionimit nga 62 në 64 vjet.

Megjithëse kryeministrja, Élisabeth Borne, e shmangu dorëheqjen e menjëhershme, presidenti mbetet nën presion për ta thyer heshtjen e tij dhe për ta mbështetur qeverinë mes zemërimit dhe frustrimit në rritje gjatë protestave. Politikanët opozitarënë parlament e akuzuan Macronin për arrogancë, mohim të demokracisë dhe dështimin për të mësuar nga lëvizja e protestës antiqeveritare të jelekëveverdhëve katër vjet më parë.

Individët e qeverisë, politikanët opozitarë dhe vëzhguesit kanë frikë se Franca mund ta përjetojë një tjetër raund revolte spontane, antiqeveritare në qytete dhe qyteza – jo vetëm për rritjen e moshës së pensionit në 64 vjeç, por edhe për shkak të mosbesimit në sistemin politik, vetëm disa vite pasi lëvizja e jelekverdhëve i dha një tronditje të madhe mandatit të parë të Macron në detyrë.

Mocioni i parë i mosbesimit, i paraqitur nga Charles de Courson, deputeti më jetëgjatë i Francës dhe një anëtar i grupit të vogël qendror opozitar Liot, u mposht me një rezultat të ngushtë – ai nuk arriti shumicën e kërkuar absolute me vetëm nëntë vota. Gjithsej 278 deputetë votuan pro.

Mocioni fitoi mbështetjen e politikanëve nga grupimi i majtë, Nupes, si dhe të ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, të pavarurve dhe disa deputetëve të krahut të djathtë Les Républicains.

Një mocion i dytë mosbesimi i paraqitur nga partia e Le Pen, Rally National, u refuzua. Pasi qeveria fitoi të dyja votat, ndryshimet e propozuara të Macron në sistemin e pensioneve ka të ngjarë të shndërrohen me shpejtësi në ligj. Mirëpo këshilli kushtetues i Francës do të konsultohet për ligjin dhe partitë opozitare duan të bëjnë peticion për një formë referendumi.

Sipas ndryshimeve të Macron, mosha minimale e përgjithshme e pensionit do të rritet nga 62 në 64 vjeç, disa punonjës të sektorit publik do t’i humbasin privilegjet dhe do të ketë një rritje të përshpejtuar të numrit të viteve të punës që kërkohen për t’u kualifikuar për një pension të plotë./The Guardian

 

Përgatiti: Nuhi Shala